Botë

Vuçiq: Serbia është pranë Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se Serbia është vend i pavarur dhe është pranë Rusisë.

Ai tha të mërkurën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, se Serbia është e përkushtuar ndaj procesit të dialogut dhe rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian.

“Serbia është shumë pranë Rusisë, Serbia është një vend i pavarur. Nëse është e lehtë për dikë që të na kritikojë e të thotë që ne jemi afër me Rusinë...Duke folur për këtë gjë besoj se ju keni dëgjuar, e disa prej jush keni shkruar gjatë 9-10 muajt e fundit se Serbia po udhëhiqte udhëzimet e Federatës Rusë për të sulmuar të tjerët në Ballkan për të shkaktuar më shumë mungesë stabiliteti e për të shkaktuar pasiguri. Dhe ne e kemi përgënjeshtruar këtë”, tha ai.

Vuçiq u shpreh se Serbisë i është shkelur integriteti, duke shtuar se situata dallon nga ajo e viteve të kaluara.

“Kemi një situatë ndryshe sa i takon integritetit territorial të Serbisë që është shkelur në mënyrën më të tmerrshme në vitin 99 dhe në vitin 2008 dhe do të diskutojmë sot me zyrtarët evropianë...Pati një sërë çështjesh të ndryshme, disa reagime gjysmë zyrtare për çështjen e Kosovës, për çështjen e dialogut. Faktikisht kjo ishte arsyeja kryesore por në fund pas konsultimeve që zhvilluam brenda shtetit vendosëm që të vijmë dhe të diskutojmë të gjitha çështjet, sepse do të kemi këtu një mundësi së paku të themi se çfarë mendojmë për këtë dhe të mbetemi të përkushtuar ndaj procesit të dialogut. Brenda procesit të negociatave me BE-në mbetemi të vendosur në rrugëtimin drejt BE-së, por në të njëjtën kohë do të na duhet të mbrojmë interesat tona shtetërore e kombëtare në përputhje me kushtetutën tonë”, u shpreh ai.

Serbia dhe Bjellorusia janë vendet e vetme në Evropë që s'i kanë vendosur sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Vuçiq është vazhdimësi e mentalitetit që në Serbi ekzistonte në vitet e ’90-a e se ky mentalitet duhet të refuzohet nga të gjithë./ksp