Botë

Lufta e ukrainasve për shpëtimin e jetimëve nga duart e rusëve

Rusët dyshoheshin për kapjen e fëmijëve jetimë dhe dërgimin e tyre në Rusi, kështu që stafi në spitalin rajonal të fëmijëve në qytetin Kherson filloi të fabrikonte të dhënat mjekësore të jetimëve për t'u dukur se ata ishin shumë të sëmurë për të lëvizur. “Ne shkruam qëllimisht informacion të rremë se fëmijët ishin të sëmurë dhe nuk mund të transportoheshin”, tha Dr. Olga Pilyarska, drejtuese e kujdesit intensiv. "Ne ishim të frikësuar se (rusët) do ta merrnin vesh ... (por) vendosëm që do t'i shpëtonim fëmijët me çdo kusht"

Disa orë pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, stafi shëndetësor në një spital për fëmijë në jug filloi të planifikonte fshehurazi se si t'i shpëtonte foshnjat.

Rusët dyshoheshin për kapjen e fëmijëve jetimë dhe dërgimin e tyre në Rusi, kështu që stafi në spitalin rajonal të fëmijëve në qytetin Kherson filloi të fabrikonte të dhënat mjekësore të jetimëve për t'u dukur se ata ishin shumë të sëmurë për të lëvizur.

“Ne shkruam qëllimisht informacion të rremë se fëmijët ishin të sëmurë dhe nuk mund të transportoheshin”, tha Dr. Olga Pilyarska, drejtuese e kujdesit intensiv. "Ne ishim të frikësuar se (rusët) do ta merrnin vesh ... (por) vendosëm që do t'i shpëtonim fëmijët me çdo kusht".

Politika e dëbimit

Gjatë gjithë luftës, rusët janë akuzuar për deportimin e fëmijëve ukrainas në Rusi ose në territoret e kontrolluara nga Rusia për t'i rritur ata si të tyret. Të paktën 1 mijë fëmijë u kapën nga shkollat ​​dhe jetimoret në rajonin Kherson gjatë pushtimit tetë-mujor të zonës nga Rusia, thonë autoritetet lokale. Ende nuk dihet vendndodhja e tyre.

Por banorët thonë se edhe më shumë fëmijë do të ishin zhdukur nëse nuk do të ishin përpjekjet e disave në komunitet që rrezikuan jetën e tyre për të fshehur sa më shumë fëmijë të mundeshin.

Në spitalin në Kherson, stafi shpiku sëmundje për 11 foshnja të braktisura nën kujdesin e tyre, kështu që ata nuk do të duhej t'i jepnin ato në jetimoren ku e dinin se do t'u jepeshin dokumente ruse dhe do t'i merrnin potencialisht. Një foshnjë kishte "gjakderdhje pulmonare", një tjetër "konvulsione të pakontrollueshme" dhe një tjetër kishte nevojë për "oksigjen artificial", tha Pilyarska për regjistrimet e rreme.

Në periferi të Khersonit në fshatin Stepanivka, Volodymyr Sahaidak, drejtori i një qendre për rehabilitimin social dhe psikologjik, po falsifikonte gjithashtu dokumentet për të fshehur 52 fëmijë jetimë dhe të pambrojtur. 61-vjeçari vendosi disa nga fëmijët me shtatë nga stafi i tij, të tjerët u dërguan te të afërmit e largët dhe disa nga më të rritur mbetën me të, tha ai. “Dukej se nëse nuk i fshihja fëmijët e mi ata thjesht do të më hiqeshin nga unë”, tha ai.

Image

Kreativitet zori

Por lëvizja e tyre nuk ishte e lehtë. Pasi Rusia pushtoi Khersonin dhe pjesën më të madhe të rajonit në mars, ata filluan të ndanin jetimët në pikat e kontrollit, duke e detyruar Sahaidakun të bëhej kreativ se si t'i transportonte ata. Në një rast ai falsifikoi të dhënat duke thënë se një grup fëmijësh kishin marrë trajtim në spital dhe po merreshin nga tezja e tyre për t'u ribashkuar me nënën e tyre, e cila ishte në muajin e nëntë shtatzënë dhe i priste në anën tjetër të lumit, tha ai.

Ndërsa Sahaidak arriti të largonte rusët, jo të gjithë fëmijët ishin aq me fat. Në jetimoren në Kherson – ku spitali do të kishte dërguar 11 foshnjat – rreth 50 fëmijë u evakuuan në tetor dhe dyshohet se u dërguan në Krime, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht në vitin 2014, tha një roje sigurie në institucion dhe fqinjët për Associated Press.

"Një autobus erdhi me mbishkrimin Z (një simbol i pikturuar në automjetet ruse) dhe ata u morën", tha Anastasiia Kovalenko, e cila jeton aty pranë.

Në fillim të pushtimit, një grup lokal ndihmash u përpoq të fshihte fëmijët në një kishë, por rusët i gjetën disa muaj më vonë, i kthyen në jetimore dhe më pas i evakuuan, thanë vendasit.

Në fillim të këtij viti, Associated Press raportoi se Rusia po përpiqet t'u japë mijëra fëmijë ukrainas familjeve ruse për kujdestari ose birësim. AP-ja zbuloi se zyrtarët kanë deportuar fëmijë ukrainas në Rusi ose në territoret e kontrolluara nga Rusia pa pëlqim, i kanë gënjyer se nuk ishin të kërkuar nga prindërit e tyre, i kanë përdorur për propagandë dhe u kanë dhënë familje dhe shtetësi ruse.

Pretendimi rus

Instituti për Studimin e Luftës, institut me bazë në Washington, thotë se zyrtarët rusë po kryejnë një fushatë të qëllimshme shpopullimi në pjesët e pushtuara të Ukrainës dhe po deportojnë fëmijët nën maskën e skemave të rehabilitimit mjekësor dhe programeve të birësimit.

Autoritetet ruse kanë thënë vazhdimisht se lëvizja e fëmijëve në Rusi synon t'i mbrojë ata nga armiqësitë. Ministria e Jashtme ruse ka hedhur poshtë pretendimet se vendi po kap dhe deporton fëmijët. Ajo ka vënë në dukje se autoritetet po kërkojnë për të afërmit e fëmijëve pa prindër të mbetur në Ukrainë për të gjetur mundësi për t'i dërguar ata në shtëpi kur është e mundur.

Avokatja e popullit e Rusisë për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova personalisht mbikëqyri lëvizjen e qindra jetimëve nga rajonet e kontrolluara nga Rusia të Ukrainës për t'u birësuar nga familjet ruse. Ajo ka pohuar se disa prej fëmijëve iu ofrua një mundësi për t'u kthyer në Ukrainë, por refuzoi ta bënte këtë. Deklarata e saj nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Këshilltari rajonal i UNICEF-it për mbrojtjen e fëmijëve për Evropën dhe Azinë Qendrore, Aaron Greenberg, tha se derisa të verifikohet fati i prindërve të një fëmije ose të afërmve të tjerë të afërt, çdo fëmijë i ndarë konsiderohet të ketë të afërm të afërt të gjallë dhe një vlerësim duhet të drejtohet nga autoritetet në vendet ku ndodhen fëmijët.

“Ne nuk e dimë fatin e këtyre fëmijëve”

Siguria lokale dhe kombëtare dhe zbatimi i ligjit po kërkojnë për fëmijët që u zhvendosën, por ata ende nuk e dinë se çfarë ndodhi me ta, tha Galina Lugova, kreu i administratës ushtarake të Khersonit. “Ne nuk e dimë fatin e këtyre fëmijëve… nuk e dimë se ku janë fëmijët nga jetimoret apo nga institucionet tona arsimore, dhe ky është një problem”, tha ajo.

Tani për tani, shumica e barrës po bie mbi vendasit për t'i gjetur dhe për t'i sjellë në shtëpi.

Në korrik, rusët sollën 15 fëmijë nga linjat e frontit në rajonin e afërt të Mykolaiv në qendrën e rehabilitimit të Sahaidak dhe më pas në Rusi, tha ai. Me ndihmën e të huajve dhe vullnetarëve, ai arriti t'i gjurmonte dhe t'i çonte në Gjeorgji, tha ai. Sahaidak nuk dha detaje të mëtejshme rreth operacionit nga frika e rrezikimit të tij, por tha se fëmijët pritet të kthehen në Ukrainë në javët e ardhshme.

Për disa, kërcënimi i dëbimit të fëmijëve nga Rusia ka sjellë rezultate të papritura. Në tetor, kur kishte shenja se rusët po tërhiqeshin, Tetiana Pavelko, një infermiere në spitalin e fëmijëve, u shqetësua se do të merrnin foshnjat me vete. Në pamundësi për të lindur fëmijë, 43-vjeçarja nxitoi në repart dhe adoptoi një vajzë 10-muajshe.

Duke fshirë lotët e gëzimit nga faqet e saj, Pavelko tha se e quajti fëmijën Kira sipas një martiri të krishterë. "Ajo ndihmoi njerëzit, shëroi dhe bëri shumë mrekulli", tha ajo.

Përktheu: Forca Jashari