Botë

Gjiganti gjerman i gazit padit Gazpromin për ndërprerje të furnizimit

Gjiganti gjerman i energjisë Uniper njoftoi se ka paditur Gazpromin në një gjykatë ndërkombëtare për mos-dërgimin e gazit nga kompania ruse, duke thënë se deri tani i ka kushtuar 11.6 miliardë euro, shkruan DailyMail.

Pasi Moska pushtoi Ukrainën, Gazpromi ndërpreu vazhdimisht furnizimet me gaz në Gjermani në hakmarrje për sanksionet perëndimore kundër Rusisë, duke i çuar çmimet e energjisë në rritje.

Importuesi më i madh gjerman i gazit Uniper po përballej me falimentimin, duke bërë që qeveria ta shtetëzonte kompaninë mes frikës se dështimi i saj mund të shkaktonte valë tronditëse në një nga ekonomitë më të mëdha të Evropës.

Kompania gjermane ka thënë se kishte nisur procedurat ligjore kundër Gazpromit në një gjykatë në Stokholm, duke kërkuar kompensim për gazin që nuk është dorëzuar që nga qershori.

Uniper është detyruar të blejë gaz zëvendësues me çmime më të larta, për të cilin tha se ka kushtuar 11.6 miliardë euro deri më tani, një shifër që do të vazhdojë të rritet deri në fund të vitit 2024.