Botë

Putini rrezikon të humbë një nga aleatët kryesorë

Armenia i ka kërkuar presidentit francez Emmanuel Macron që të kryesojë bisedimet e paqes me Azerbajxhanin, duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë presidentit rus Vladimir Putin.

Siç shkruan The Guardian, kërkesa pasoi përfundimin e pasuksesshëm të një takimi të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), ku kryeministri armen Nikol Pashinyan u largua nga takimi me presidentin rus dhe shprehu në mënyrë simbolike pakënaqësinë e tij.

Pashinyan refuzoi të nënshkruajë deklaratën e samitit, duke protestuar për dështimet e fundit të CSTO, e cila bashkon Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgistanin dhe Taxhikistanin në një traktat të mbrojtjes reciproke. Ai shprehu pakënaqësinë për mungesën e përgjigjes ndaj kërkesës së tij zyrtare që CSTO të ndërhynte në emër të Armenisë pasi vendi i tij u sulmua nga Azerbajxhani në shtator.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë qenë në mosmarrëveshje për tre dekada mbi Nagorno-Karabakhin, një enklavë që njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që kontrollohet kryesisht nga popullsia me shumicë armene etnike.

Të premten, Pashinyani kërkoi pjesëmarrjen e Francës në përpjekjen e fundit për një marrëveshje mes dy vendeve dhe bisedimet duhej të zhvilloheshin më 7 dhjetor në Bruksel. Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka thënë se po anulonte bisedimet sepse nuk mund të pranonte rolin francez, duke akuzuar Macronin për "qëndrim anti-azerbajxhan".

“Është e qartë se në këto rrethana, me këtë qëndrim, Franca nuk mund të jetë pjesë e procesit të paqes ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë”, ka thënë Aliyev.

I pyetur për komentet e Aliyevit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Moska, e cila dërgoi 5 mijë paqeruajtës në rajon në vitin 2020, ishte e gatshme të ndihmonte në arritjen e marrëveshjeve të mëtejshme.

Emil Avdaliani, profesor në Universitetin Evropian në Tblisi, Gjeorgji, ka thënë se Armenia po përpiqet të diversifikojë marrëdhëniet e saj të jashtme në dritën e dobësisë së Rusisë.

“Varësia nga Rusia është vdekjeprurëse, prandaj Jerevani kërkon afrim me Turqinë, lidhje më të ngushta me BE-në, Iranin dhe Kinën. Ky është rezultat i qasjes me gjysmë zemre të Moskës ndaj Armenisë dhe mbi të gjitha dobësimit të pozitës së Rusisë në Kaukazin e Jugut si rezultat i luftës gjithnjë e më të pasuksesshme në Ukrainë”, theksoi ai.

Përpara ndërtesës ku po mbahet samiti i CSTO-së, protestuesit armenë i bënë thirrje Rusisë që të largohet nga Ukraina.

“Protestat tregojnë një ndryshim në perceptimin e Rusisë në Armeni. Mosbesueshmëria e saj si aleate u bë e dukshme. Ndjenjat anti-ruse kanë qenë gjithmonë të pranishme në mesin e elitave politike armene. Protestat ishin të dobishme për Pashinyanin, sepse e lejuan të tregojë se Armenia ka nevojë për garanci konkrete dhe jo vetëm për premtime boshe”, përfundoi Avdaliani.