Botë

Kinës po i kthehet Covid-19

Pekini ka hapur spital në një qendër ekspozite. E ka pezulluar hyrjen në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit pasi një rast i virusit u gjet atje. Disa qendra tregtare dhe ndërtesa zyrash u mbyllën dhe qasja në disa komplekse apartamentesh u bllokua.

zolimet e pandemisë po zgjerohen në të gjithë Kinën, përfshirë një qytet ku punëtorët e fabrikës u përleshen këtë javë me policinë, pasi numri i rasteve të COVID-19 arrin një rekord ditor.

Banorëve të tetë rretheve të Zhengzhous, shtëpia e 6.6 milionë njerëzve, iu tha të qëndrojnë në shtëpi për pesë ditë duke filluar të enjten, përveç blerjes së ushqimit ose trajtimit mjekësor. Testimi masiv ditor u urdhërua në atë që qeveria e qytetit e quajti “luftë asgjësimi” kundër virusit.

Gjatë përleshjeve të martën dhe të mërkurën, policia e Zhengzhous ka rrahur punëtorët që protestonin për një mosmarrëveshje pagash në fabrikën më të madhe për iPhone të Apple, e vendosur në një zonë industriale pranë qytetit. Foxconn, pronari i fabrikës me bazë në Tajvan, kërkoi falje për atë që e quajti “një gabim në hyrje në sistemin kompjuterik” dhe tha se do të garantonte që pagesa të jetë e njëjtë me atë të rënë dakord dhe në posterat zyrtarë të rekrutimit.

Në 24 orët e mëparshme, numri i rasteve të reja me COVID u rrit me 31.444, ka bërë të ditur Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë. Kjo është shifra më e lartë ditore që kur koronavirusi u zbulua për herë të parë në qytetin qendror kinez të Wuhan në fund të vitit 2019.

Përhapja e madhe

Ngarkesa ditore e rasteve është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Këtë javë, autoritetet raportuan vdekjet e para të COVID-19 në Kinë në gjashtë muaj, duke e çuar totalin në 5.232.

Teksa numri i rasteve dhe vdekjeve është relativisht i ulët në krahasim me SHBA-në dhe vendet e tjera, Partia Komuniste në pushtet e Kinës mbetet e përkushtuar ndaj një strategjie “zero-COVID” që synon të izolojë çdo rast dhe të eliminojë tërësisht virusin. Shumica e qeverive të tjera u kanë dhënë fund kontrolleve antivirus dhe tani mbështeten në vaksinimet dhe imunitetin nga infeksionet e kaluara për të ndihmuar në parandalimin e vdekjeve dhe sëmundjeve të rënda.

Bizneset dhe komunitetet rezidenciale nga qendra prodhuese e Guangzhout në jug deri në Pekin në veri janë në forma të ndryshme izolimesh, masa që prekin veçanërisht punëtorët migrantë. Në shumë raste, banorët thonë se kufizimet shkojnë përtej asaj që lejon qeveria kombëtare.

Guangzhou e ka pezulluar hyrjen të hënën në rrethin Baiyn prej 3.7 milionë banorësh, teksa banorëve të disa zonave në Shijiazhuang, qytet me 11 milionë banorë në jugperëndim të Pekinit, iu tha të qëndrojnë në shtëpi teksa kryhen testime masive.

Pekini ka hapur spital në një qendër ekspozite. E ka pezulluar hyrjen në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit pasi një rast i virusit u gjet atje. Disa qendra tregtare dhe ndërtesa zyrash u mbyllën dhe qasja në disa komplekse apartamentesh u bllokua.

Duke sugjeruar se disa nga këto masa mund të jenë të paktën gjysmë të përhershme, punëtorët po ngrinin një rrethojë 2 metra të lartë rreth ndërtesave të vjetra të apartamenteve me tulla të ulëta në komunitetin Hongmiao Beili të Pekinit.

Dhjetëra njerëz me kostume mbrojtëse drejtuan hyrjen në një korsi që kalonte nëpër komunitet, duke qëndruar pas barrierave të çelikut të larta deri në bel, të përdorura zakonisht për kontrollin e turmës.

Autoritetet kishin njoftuar masa për të reduktuar ndërprerjet nga kontrollet pandemike duke shkurtuar karantinat dhe duke bërë ndryshime të tjera. Disa kinezë kanë shprehur zhgënjim dhe konfuzion në lidhje me ndryshimet e dukshme të politikave në mediat sociale.

Ndërsa kufijtë e Kinës mbeten kryesisht të mbyllura, qeveria ka “optimizuar dhe lehtësuar procesin e daljes dhe hyrjes për drejtuesit dhe personelin e specializuar të kompanive shumëkombëshe dhe bizneseve të huaja dhe anëtarëve të familjeve të tyre në Kinë”, ka theksuar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, në një konferencë të përditshme për media.

Përmirësimi i protokolleve

Mao ka thënë se Kina do të vazhdojë t’i përmirësojë protokollet e ndryshme të COVID-it “sipas parimeve të bazuara në shkencë dhe të synuara” për të ndihmuar në lehtësimin e udhëtimit dhe bashkëpunimit dhe shkëmbimeve me vendet e tjera.

Një çështje kryesore është shqetësimi se sa të ndjeshëm janë njerëzit ndaj virusit. Pak kinezë janë kapur me COVID ose madje janë ekspozuar ndaj virusit, kështu që vetëm një përqindje e vogël mendohet se kanë krijuar nivele efektive të antitrupave që luftojnë virusin.

Kina ka një shkallë të përgjithshme vaksinimi kundër koronavirusit prej më shumë se 92%, ku shumica e njerëzve kanë marrë të paktën një dozë. Por shumë më pak kinezë të moshuar - veçanërisht ata mbi moshën 80 vjeç - kanë marrë vaksina.

Qeveria po përpiqet ta frenojë valën e fundit të shpërthimeve pa mbyllur fabrikat dhe pjesën tjetër të ekonomisë së saj, siç bëri në fillim të vitit 2020. Një taktikë është përdorimi i “menaxhimit të qarkut të mbyllur”, sipas të cilit punëtorët jetojnë në fabrikat e tyre pa kontakte të jashtme.

Foxconn, prodhuesi më i madh në botë me kontratë i telefonave inteligjentë dhe pajisjeve të tjera elektronike, po përpiqet t’i plotësojë porositë për iPhone 14 pasi mijëra punonjës u larguan nga fabrika në Zhengzhou muajin e kaluar pas ankesave për kushte të pasigurta pune.

Protestat e së martës dhe së mërkurës u nxitën nga mosmarrëveshjet për pagesën e punëtorëve që u rekrutuan për të zëvendësuar ata që u larguan. Punëtorët u përleshën me policinë dhe disa u rrahën. Disa të tjerë u arrestuan.

Foxconn mohoi ato që tha se ishin komente në internet se punonjësit me virus jetonin në konvikte në fabrikën Zhengzhou. Ai tha se objektet ishin dezinfektuar dhe kaluan kontrollet e qeverisë përpara se punonjësit të hynin brenda.

Përktheu: Blerta Haxhiu