Botë

Turqia nis të paguajë në rubla për gazin rus

Turqia ka nisur të paguajë në rubla për gazin rus, ka bërë të ditur të martën, ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez.

Në një intervistë për transmetuesin TRT Haber, Donmez tha se në muajt e ardhshëm pjesa e pagesave në monedhën vendase në tregtinë e energjisë me Rusinë do të rritet.

Rusia, e goditur nga sanksionet perëndimore për luftën e saj në Ukrainë, po kërkon gjithnjë e më shumë nga blerësit e energjisë së saj të paguajnë në rubla për të ndihmuar në forcimin e monedhës së saj.

Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare të energjisë zgjidhen në dollarë amerikanë ose euro.

Turqia po përpiqet gjithashtu të nxisë tregtinë duke përdorur lirën, e cila është goditur nga politikat monetare joortodokse.

Ankaraja dhe Moska ranë dakord në shtator për të filluar pagesat me rubla për furnizimet me gaz natyror.