Një prift katolik ka shkaktuar bujë në Irlandë pasi deklaroi se zëvendëskryeministri Leo Varadkar dhe politikanë të tjerë homoseksualë do të shkojnë në ferr.
Seán Sheehy, 65 vjeç, dënoi homoseksualitetin, të drejtat e transgjinorëve dhe të drejtat për abort, nga foltorja dhe në intervistat në media këtë javë, raportoi The Guardian.
Disa i quajtën komentet e tij si rikthim në një Irlandë të zhdukur, të tjerë i lidhën me ekspozimin e Sheehyt ndaj luftërave kulturore amerikane gjatë 42 viteve që shërbente në dioqezat amerikane.
Grindja u ndez të dielën kur prifti mbajti një predikim të hapur në kishën e Shën Marisë në Listowel, duke bërë që dhjetëra njerëz të largoheshin.
Peshkopi Raymond Browne, kërkoi falje dhe tha se pikëpamjet e Sheehyt nuk "përfaqësonin pozicionin e të krishterëve".
Sidoqoftë, prifti konfirmoi pikëpamjen e tij në intervistat në radio. I pyetur nëse mendonte se Varakdar dhe politikanë të tjerë homoseksualë që mbështesnin të drejtat e homoseksualëve dhe abortit do të shkonin në ferr, ai u përgjigj: "Absolutisht".
Sheehy tha se politikanët, mediat dhe vetë kisha katolike i kishin mashtruar irlandezët për të miratuar të drejtat e martesës së të njëjtit seks dhe abortit.
Sheehy e krahasoi homoseksualitetin me paaftësi "sepse e shtyn një person në një drejtim jonormal për sa i përket shprehjes së seksualitetit".
Ministrat e qeverisë i quajtën të turpshme komentet. Një zëdhënës i Varadkar tha se ai nuk ishte dakord me priftin, por respektonte të drejtën e tij për të shprehur bindjet e tij.