Botë

Vriten pesë policë në Ekuador, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Të paktën pesë oficerë policie ekuadoriane u vranë të martën në sulme shpërthyese në përgjigje të transferimeve të të burgosurve nga burgjet e mbipopulluara dhe të dhunshme, duke bërë që presidenti Guillermo Lasso të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në dy provinca, shkruan Reuters.

Lasso, një konservator, ka fajësuar vazhdimisht dhunën, përfshirë brenda burgjeve, për hakmarrjen e bandave të drogës për përpjekjet e qeverisë së tij për të luftuar këtë dukuri.

Ekuadori është një pikë transiti për drogën e destinuar për në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

Sulmet gjatë natës dhe herët në mëngjes të së martës, duke përfshirë nëntë shpërthime në dy qytete, ishin një shpallje e hapur e luftës nga bandat kundër shtetit, ka thënë Lasso.

"Ajo që ndodhi mes natës së kaluar dhe sot në Guayaquil dhe Esmeraldas tregon qartë kufijtë që krimi i organizuar trans-kombëtar është i gatshëm të kapërcejë", shtoi Lasso. "Ne po ndërmarrim veprime që i shqetësojnë ata, prandaj reagimi është i dhunshëm".

Ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në provincat Guayas dhe Esmeraldas, ku forcat e sigurisë do të intensifikojnë operacionet dhe do të ketë shtetrrethim në mbrëmje.

Gjashtë shpërthime u raportuan herët në mëngjes të martën në disa zona të qytetit perëndimor të Guayaquilit, ka thënë policia, ndërsa dy policë u vranë në një sulm ndaj një makine patrullimi në periferi. Tre oficerë të tjerë u vranë në qytet.

Shtatë oficerë burgu u morën peng nga të burgosurit në shenjë proteste ndaj transferimeve të të burgosurve. Oficerët u liruan pas negociatave.

Sistemi i burgjeve të Ekuadorit është përballur me probleme strukturore për dekada, por dhuna në burgje është rritur që nga fundi i vitit 2020. Janë vrarë të paktën 400 njerëz.