Botë

Dëshmitë dhe videot rrëqethëse hedhin dritë mbi vdekjen e vajzës iraniane

Një vajzë iraniane e veshur me të zeza qëndron në majë të një koshi plehrash të përmbysur, duke tundur shaminë e saj teksa është përfshirë nga flakët, mes thirrjeve "vdekje diktatorit".

Një moment më vonë, tregohet në video, ajo struket për të marrë një shall tjetër, nga një mikeshë, të cilit do t'i vërë flakën gjithashtu para protestuesve.

Vajza ishte 16-vjeçarja Nika Shahkarami, nga Teherani. Pak orë pasi këto skena u regjistruan më 20 shtator, në video të siguruara dhe verifikuara ekskluzivisht nga CNN, Nika u zhduk. Dhe më shumë se një javë më vonë, familja e saj mësoi se ajo kishte vdekur.

Image

Autoritetet iraniane pretenduan se trupi i Nikës u gjet në pjesën e pasme të një oborri në mëngjesin e 21 shtatorit. Nënës së saj nuk iu dha qasje për ta identifikuar atë deri 8 ditë më vonë. Pamjet të lëshuara nga autoritetet me vulën kohore vetëm pas mesnatës, tregonin figurën e një personi të maskuar që ata thanë se ishte Nika duke hyrë në një ndërtesë që ishte e pabanuar dhe ende në ndërtim në Teheran.

Një prokuror kishte thënë fillimisht se ajo vdiq pasi u hodh nga një ndërtesë, dhe se vdekja e saj “nuk kishte lidhje me protestat” atë ditë, por pavarësisht se deklaroi se vdekja e saj ishte vrasje, ai nuk tha nëse kishte të dyshuar nën hetim. Transmetuesit shtetërorë raportuan se ajo “u rrëzua” por nuk dhanë dëshmi.

Autoritetet asnjëherë nuk shpjeguan pse Nika u fut në ndërtesë vetëm dhe nëna e saj ka thënë se nuk beson se personi i maskuar ishte Nika. Nëna e saj ka thënë se beson se Nika është vrarë nga autoritetet, por autoritetet asnjëherë nuk kanë thënë nëse Nika ka qenë në mbajtjen e tyre.

Por, dhjetëra video dhe dëshmitarë që i ka siguruar CNN-i japin indikacione se Nika është ndjekur dhe arrestuar nga forcat e sigurisë iraniane atë natë. Një dëshmitar tha se e kishte parë Nikën të arrestohej në protestë nga policë të sigurisë të cilët e kishin futur në veturë.

Disa minuta më herë, ky dëshmitar, e xhiroi Shahkaramin prapa një veture duke i bërtitur “tekoon nakon, tekoon nakon”, që do të thotë “mos u nis, mos u nis”, shoferit para se të largohej.

Shtatë persona që e njihnin Nikën konfirmuan se ishte ajo. Të njëjtat xhirime tregojnë policinë në motoçikleta që patrullojnë zonën.

“Doja ta shpëtoja por nuk munda”, tha Ladan. “Shahkarami po hidhte gurë mbi ta. Isha e frikësuar dhe i shkova pas i thash, ‘ki kujdes’ sepse kishte një numër policësh në rroba civile që po e kërkonin atë.

“15 metra më larg e kapën atë”, shtoi Ladan.

Të tjera video, janë prova se Nika ishte në vijën e parë të protestave atë natë, që e bënte atë cak të policisë.

Videot tregojnë se Nika pasi dogji shamitë, hodhi gurë mbi policinë. Ajo kishte maskë të zezë dhe një kapele.

Një tjetër dëshmitare, Dina, e cila kaloi një pjesë të protestës krah Nikës, i tha CNN-it se e pa Nikën para një pompe benzime jo larg Universitetit të Teheranit, ku një grup protestuesish ishin mbledhur pasi kishin ikur nga gazi i lëshuar nga forcat e sigurisë.

Nika u pa për herë të fundit nga këta dëshmitarë dhe nëntë ditë më vonë familjes iu kumtua lajmi zyrtar për vendndodhjen e saj. Videot e verifikuara treguan se derisa vajza ishte gjallë ajo ishte rrethuar nga forcat e sigurisë nga të tri anët.

“Mendoj se Nika ngeci atë natë kur ne po iknim”, tha Dina.

Forcat iraniane arrestuan tetë persona që punonin në ndërtesën ku pretendohet në u fut Nika.

Mohammad Shahriari, kreu i prokurorisë, fillimisht tha se lëndimet e Nikës korrespondonin me lëndime që ngjasonin me ato që merr kur hedhet poshtë. Shtoi se “asnjë vrimë nga plumbat nuk është gjetur në trup”.

Të mërkurën, një certifikatë vdekjeje e lëshuar tregonte se Nika vdiq nga lëndime të shumta të shkaktuara nga goditje nga një objekt i fortë.