Të paktën katër palestinezë kanë mbetur të vdekur gjatë një bastisjeje të kryer nga forcat ushtarake të Izraelit, në qytetin Nablus në Bregun Perëndimor, të martën.
Sipas ministrisë palestineze të Shëndetësisë, protestuesit palestinezë dolën në rrugë për t’iu përgjigjur bastisjeve. Një person tjetër thuhet se ka vdekur gjatë përleshjeve mes protestuesve palestinezë dhe ushtrisë izraelite në qytetin Nabi Saleh, raportoi CNN-i të martën.
Sipas ministrisë, 21 palestinezë kanë mbetur të plagosur, katër prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Në një deklaratë të përbashkët të forcave izraelite të sigurisë, thuhet se bastisja është kryer në strehën që është shfrytëzuar si seli dhe për prodhimin e eksplozivëve nga grupi “Lion’s Den”, që Izraeli e quan terrorist.
Sipas deklaratës, grupi ishte “përgjegjës për një sulm që la të vdekur disa ushtarë e po ashtu po synonte të kryente një sulm terrorist në Tel Aviv”.