Botë

Çifti afgan akuzon marinën amerikane për rrëmbimin e foshnjës së tyre

Gjatë një viti Motley bëri thirrje për përditësime rreth fëmijës dhe herë pas here kërkonte foto. Në korrik rreth ditëlindjes së parë të foshnjës çifti ia dërgoi Motleyt një fotografi të fëmijës me mbathje noti duke buzëqeshur dhe spërkatur në pishinë

Kjo është histori rreth asaj se si një marins amerikan që me ashpërsi vendosi për të sjellë në shtëpi një jetim të luftës afgane dhe e vlerësoi atë si akt të besimit të krishterë për ta shpëtuar atë. Letrat, emailet dhe dokumentet e dorëzuara në dosjet federale tregojnë se ai përdori statusin e tij në Forcat e Armatosura të SHBA-së, iu drejtua zyrtarëve të lartë të administratës Trump dhe iu drejtua gjykatave të qyteteve të vogla për të adoptuar foshnjën, pa e ditur çifti afgan që e rriti atë 11 mijë kilometra larg.

Vajza e vogël, tani 3 vjeç e gjysmë, është në qendër të një rrëmuje të madhe të të paktën katër çështjeve gjyqësore. Çifti afgan, i dëshpëruar për ta rikthyer atë, ka paditur Mastin dhe gruan e tij, Stephanie Mast. Por Mastët këmbëngulin se ata janë prindërit e saj ligjorë dhe "vepruan në mënyrë të admirueshme" për ta mbrojtur atë. Ata i kanë kërkuar një gjyqtari federal të hedhë poshtë padinë.

Pesë ditë pasi afganët mbërritën në SHBA, ata thonë se Masti e mori atë.

Kjo ishte më shumë se një vit më parë. Çifti afgan nuk e ka parë që atëherë.

Nxjerrja nga rrënojat

Historia e foshnjës shpaloset në qindra faqe dosjesh ligjore dhe dokumentesh të marra nën Aktin e Lirisë së Informacionit, si dhe intervista me të përfshirët, të bashkuara në një hetim të AP-së.

Identiteti i foshnjës është mbajtur privat, i listuar vetëm si Baby L ose Baby Doe. Çifti afgan i kishte vënë foshnjës një emër afgan; Mastët i dhanë një amerikan.

Me origjinë nga Florida, Joshua Mast u martua me Stephanien dhe ndoqi Universitetin Liberty, një kolegj i krishterë ungjillor në Lynchburg, Virxhinia. Ai u diplomua në vitin 2008 dhe mori diplomën e tij për drejtësi atje në vitin 2014.

Në vitin 2019, Joshua Mast u dërgua në një detyrë të përkohshme në Afganistan. Mast, në atë kohë kapiten në Korpusin Detar të SHBA-së, ishte një avokat ushtarak për Qendrën Federale për Ligjin dhe Operacionet Ushtarake.

Ai shtator i vitit 2019 ishte një nga muajt më vdekjeprurës të gjithë pushtimit të SHBA-së në Afganistan, me më shumë se 110 civilë të vrarë vetëm në javën e parë.

Më 6 shtator 2019, SHBA-ja sulmoi një kompleks të largët.

Nuk ka detaje në lidhje me këtë ngjarje publike, por në dokumentet gjyqësore Mast pretendon se raportet e klasifikuara tregojnë se qeveria e SHBA-së "dërgoi helikopterë plot me operatorë specialë për të kapur ose vrarë" një luftëtar të huaj. Mast tha se në vend që të dorëzohej, një burrë shpërtheu një jelek vetëvrasës; pesë nga gjashtë fëmijët e tij në dhomë u vranë dhe nëna e tyre u qëllua për vdekje ndërsa po i rezistonte arrestimit.

Të dyja palët pajtohen që kur pluhuri u ul trupat amerikane nxorën nga rrënojat foshnjën e plagosur rëndë. Foshnja kishte thyerje të kafkës, këmbë të thyer dhe djegie të rënda. Ajo ishte rreth 2-muajshe.

Image

Veprim i duhur

Foshnja u dërgua me urgjencë në një spital ushtarak, ku u vendos nën kujdesin e Departamentit të Mbrojtjes.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i tha AP-së se ata filluan të kërkonin familjen e saj me qeverinë afgane, shpesh një proces i ngadalshëm në pjesët rurale të vendit ku mbajtja e të dhënave është e pakët. Në fillim ata nuk e dinin as emrin e foshnjës.

Rreth gjashtë javë pasi foshnja u shpëtua, Ambasada e SHBA-së bëri thirrje për një takim, ku morën pjesë përfaqësues të Kryqit të Kuq, qeverisë afgane dhe ushtrisë amerikane, përfshirë Mastin.

Në takim Masti pyeti për birësimin, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit. Të pranishmit nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të Afganistanit shpjeguan se sipas ligjit dhe zakonit afgan ata duhej ta vendosnin foshnjën me familjen e saj biologjike. Nëse kjo nuk funksiononte, Gjykata Afgane e Fëmijëve do të caktonte një kujdestar të duhur.

Image

Udhëtimi rreth botës

Mastët kërkuan një zgjidhje në gjysmë të rrugës nëpër botë - në fshatin Fluvanna County, Virxhinia, ku ata jetonin.

Ata kërkuan gjykatën lokale për të mitur dhe marrëdhënie familjare duke e përshkruar foshnjën si një "të mitur pa shtetësi të rikuperuar nga fusha e betejës". Në fillim të nëntorit 2019, një gjyqtar ua dha atyre kujdestarinë ligjore.

Disa ditë më vonë një certifikatë e lindjes së huaj i renditi Joshua dhe Stephanie Mast si prindër.

Ndërkohë Joshua Mast e regjistroi foshnjën në sistemin e kujdesit shëndetësor të Departamentit të Mbrojtjes, caktoi një takim në një Klinikë Ndërkombëtare të Birësimit në SHBA dhe kërkoi që ajo të evakuohej.

Pastaj erdhi një surprizë: Kryqi i Kuq tha se kishin gjetur familjen e saj. Ajo ishte rreth pesëmuajshe.

Mast shprehu dyshime për xhaxhain e sapogjetur, duke e përshkruar atë në procesverbalet e gjykatës si "një person anonim me kombësi të panjohur" dhe duke pretenduar se dorëzimi i foshnjës tek ai ishte "në thelb i rrezikshëm".

Por Afganistani nuk u lëkund: fëmija ishte shtetas i vendit të tyre.

Mastët, të përfaqësuar nga Richard Mast, paditën sekretarët e Mbrojtjes dhe Shtetit në një gjykatë federale në Virxhinia, duke kërkuar një urdhër ndalimi emergjent për t'i ndaluar ata. Mastët pretenduan se ata ishin "kujdestarët ligjorë të përhershëm" të foshnjës.

Brenda pak orësh katër avokatë federalë - dy nga Departamenti i Drejtësisë dhe dy nga Zyra e Prokurorit të SHBA-së – e morën në telefon dhe Richard Mast ishte në zyrën e gjyqtarit federal Norman Moon.

Gjykatësi Moon vendosi kundër Mastit dhe foshnja qëndroi në Afganistan.

Të nesërmen ajo u bashkua me familjen e saj biologjike. Çifti afgan qau nga gëzimi.

Masat shtesë

Me kalimin e muajve në shtëpinë e saj të re në Afganistan, vajzës i pëlqente të lyhej me këna në duar dhe të vishej me rroba të reja, tha çifti afgan. Ajo gjithmonë dëshironte të bënte grimin e nënës së saj të re ose të krihte flokët e saj.

Mastët i kërkuan Kimberley Motley, avokate, të gjurmonte familjen.

Gjatë një viti, Motley bëri thirrje për përditësime rreth fëmijës dhe herë pas here kërkonte foto. Në korrik, rreth ditëlindjes së parë të foshnjës, çifti i dërgoi Motleyt një fotografi të fëmijës me mbathje noti duke buzëqeshur dhe spërkatur në pishinë.

Në të njëjtën kohë çështja e birësimit të Mastëve ishte ende në sistemin gjyqësor në Fluvanna County, Virxhinia. Në dhjetor 2020, gjykata shtetërore ua dha Mastëve një urdhër përfundimtar birësimi bazuar në konstatimin se fëmija "mbetet deri në këtë pikë në kohë një i mitur jetim, pa dokumente, pa shtetësi", sipas një padie federale. Gjykatësi kryesues i Gjykatës së Qarkut të Fluvanës, Richard E. Moore, nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura për qartësi se si përparuan çështjet.

Në fund të verës 2021, talebanët morën pushtetin në Afganistan. Mast tha se ai kontaktoi familjen për të sjellë foshnjën në SHBA "para se vendi të shembej". Ai tha se ishte "jashtëzakonisht i shqetësuar se ata mund të mos kenë një shans tjetër". Çifti ra dakord.

Kur afganët më në fund zbarkuan në Shtetet e Bashkuara, ata filluan të shpjegonin se fëmija ishte shumë i vogël për të pasur dokumente afgane. Kjo është kur ata pretendojnë se Joshua Mast ka nxjerrë një pasaportë afgane.

Brenda ishte e njëjta foto e fëmijës në pishinë, por e ndryshuar për të ndryshuar sfondin, për të shtuar një këmishë dhe për të lëmuar flokët e saj. Mast u tha afganëve të "heshtin" për pasaportën e saj, pretendon padia e tyre, kështu që do të ishte më e lehtë për të marrë kujdes mjekësor.

Çifti afgan kërkoi të dërgoheshin në bazën e Gardës Kombëtare të Ushtrisë Fort Pickett, një vendndodhje e specifikuar nga Mast, sipas padisë. Mijëra refugjatë afganë u strehuan përkohësisht atje.

Menjëherë pas, thanë ata, ushtarët erdhën në dhomën e tyre dhe u thanë se po lëviznin. Një grua e çuditshme u ul në pjesën e pasme të furgonit pranë një ndenjëseje makine, sipas të dhënave të gjykatës dhe foshnja u turbullua ndërsa ajo e shtrëngoi brenda.

Në përgjigjen e tyre shumë të redaktuar ndaj padisë, Mastët pranojnë se ata "morën kujdestarinë" e fëmijës; ata thanë se urdhri i tyre i birësimit ishte i vlefshëm dhe nuk bënë asgjë të keqe.

Çifti afgan besoi se foshnja e tyre ishte vjedhur dhe ata kërkuan menjëherë ndihmë në Fort Pickett për ta kthyer atë.

Së shpejti çifti kërkoi ndihmë ligjore; deri në dhjetor 2021, çifti afgan i kishte kërkuar gjykatësit të Fluvannas të anulonte adoptimin. Por këto procese pothuajse një vit më vonë kanë qenë të errëta dhe të ngadalta.

Fati i fëmijës afgan tani po debatohet në procedurë sekrete në një sallë gjyqi të mbyllur në fshatin Palmyra, Virxhinia, shtëpia e rreth 100 njerëzve.

Procedurat janë mbrojtur plotësisht nga opinioni publik, i mandatuar nga kryetari i gjykatës, Moore.

Mast mbetet një marins me detyrë aktive dhe që atëherë është graduar në major. Ai tani jeton me familjen e tij në Karolinën e Veriut. Vogëlushja afgane ka qenë me ta për më shumë se një vit.

Në Teksas çifti afgan vazhdon të pikëllojë humbjen e fëmijës. Foshnja që gruaja lindi pak pasi mbërriti në SHBA sapo mbushi 1 vjeç. Nëna e re kishte planifikuar t'i rriste vajzat si motra. Por, ato nuk janë takuar kurrë.

“Nuk ka asgjë për të festuar pa të. Nuk ka lumturi këtu”, tha afgani. “Po numërojmë momentet dhe ditët derisa ajo të kthehet në shtëpi”.

Përktheu: Forca Jashari