Botë

Admirimi i Trumpit për Kim Jong-unin i shprehur përmes letrave top-sekrete

Donald Trumpi pranoi në vitin 2019 se letrat që po ia dërgonte Kim Jong-unit dhe të cilat më vonë i mori me vete pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, ishin sekrete. Por sipas regjistrimeve nga një intervistë që ai ia dha gazetarit Bob Woodward, vë në pikëpyetje besueshmërinë e deklaratave mbi hetimin ndaj tij për mbajtjen e paautorizuar të dosjeve qeveritare.

Në dhjetor të atij viti, Trumpi ndau me Woodwardin letrat që Kimi ia kishte shkruar atij, duke thënë se, “Askush tjetër nuk i ka këto, por unë dua që ti t’i trajtosh me respekt dhe mos trego që t’i kam dhënë unë, në rregull?”, dëgjohet në incizimet e marra nga CNN-i dhe Washington Posti.

Kur gazetari kërkoi që të lexonte letrat, ish-presidenti amerikan u përgjigj: “Oh, ato janë top-sekrete”.

Komenti i tij bie në kundërshtim me pretendimet se nuk kishte marrë me vete asnjë sekret qeveritar pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në janar 2021. Arkivi Kombëtar që ka për detyrë të ruajë incizimet e ish-presidentëve, kaloi shumicën e vitit 2021 duke tentuar t’i marrë letrat nga Trumpi, duke e përfunduar me sukses misionin në fillim të këtij viti.

Letrat për Kimin, të shkruara nga Trumpi si pjesë e përpjekjes së administratës së tij për të ulur tensionet bërthamore me Korenë e Veriut, tregojnë admirimin e tij të qartë për liderin e një prej regjimeve më represive në botë. Dy burrat shkëmbyen urime ditëlindjeje dhe “urimet më të mira” për miqtë dhe familjen, sipas përkthyesve të letrave.

Woodward përshkroi se si “Trumpi i trajton programet dhe informacionet më të klasifikuara në mënyrë të thjeshtë dhe të rrezikshme, siç kemi parë tani më 2022 në Mar-a-Lago, ku ai kishte 184 dokumente të klasifikuara, përfshirë 25 me nënvizimin ‘top sekrete’”.