Botë

Rusia sulmon një panair lulesh, Zelenskiy: Kundër kujt po luftojnë terroristët rusë?

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, në adresimin e së martës përmes aplikacionit Telegram, komentoi sulmet ruse në qytetet e Ukrainës.

Ai tha se Rusia është shtet terrorist dhe se këtë po e dëshmon me sulmet mbi caqet civile.

"Ukraina është nën sulmin e pushtuesit, i cili vazhdon të bëjë atë që bën më së miri – të terrorizojë dhe të vrasë civilët. Në Mykolaiv, armiku shkatërroi një ndërtesë apartamentesh me raketa S-300. Një person u vra. Një panair lulesh u sulmua gjithashtu. Pyes veten se kundër kujt kanë luftuar terroristët rusë atje”, u shpreh Zelenskiy.

Ai u shpreh i bindur se Rusia do të humbasë dhe se për secilin veprim të saj do të mbajë përgjegjësi.

"Shteti terrorist nuk do të arrijë asgjë me veprime të tilla. Ai vetëm konfirmon thelbin e tij shkatërrues dhe vrasës, për të cilin sigurisht që do të mbajë përgjegjësi", tha Zelenskiy.

Nnë orët e hershme të së martës, forcat ruse kryen një sërë sulmesh ajrore në qytetet ukrainase Mykolaiv, Dnipro, Kharkiv, Kyiv dhe Kryvyi Rih, vendlindja e Zelenskyt.

Ditëve të fundit ka pasur në vazhdimësi sulme mbi caqet civile në Ukrainë. Po ashtu, në shënjestër është vënë edhe infrastruktura energjetike në Ukrainë.