Botë

Video dramatike e shpëtimit të imigrantëve në Greqi

Një operacion shpëtimi është zhvilluar në një ishull jugor të Greqisë, pasi një barkë me rreth 100 imigrantë u përplas në shkëmbinj dhe u përball me erëra të forta të mërkurën vonë, kanë njoftuar autoritetet.

Roja kufitare ka bërë të ditur se ekipet e saj të shpëtimit, anije private dhe një helikopter u përdorën për të shpëtuar imigrantët në ishullin e Kythiras, 225 kilometra në jug të Athinës.

Video e shpërndarë në rrjetet sociale nga banorët lokalë kanë shfaqur pamjet dramatike se si imigrantët shpëtohen me litarë në mes të shkëmbinjve.

Një nga banorët, Steven Kastrissios, ka thënë se ishte një nga njerëzit e parë në skenë pasi kishte parë anijen e përplasur me shkëmbinjtë, nga shtëpia e tij në fshatin Diakofti.

Ai i ka thënë agjencisë “Associated Press” se me përfundimin e sezonit turistik, në këtë vend nuk gjendet askush pos pak banorëve për të ndihmuar në raste të tilla.

Zyrtarët kanë thënë se janë shpëtuar të paktën 30 persona.

Erërat e fuqishme deri në 70 kilometra për orë bënë që anija të zhytej.

Shumica e imigrantëve arrijnë në Greqi nga Turqia.

Kythira është rreth 400 kilometra në perëndim të Turqisë dhe shpesh përdoret si shteg që imigrantët nga Greqia të nisen drejt Italisë.