Trupat e pesë ushtarëve rusë të vdekur shtriheshin pranë njëri-tjetrit, tani të fryrë dhe të shtrembëruar nga vdekja, por dikur burri a djali i dikujt. Ata ishin me uniformë, me çizme, sikur të mund të ktheheshin disi në luftë. Ata duket se janë masakruar së bashku teksa tentonin të iknin. Aty pranë pamë një grumbull uniformash ruse të hedhura, çanta gjumi dhe pako racioni. Kishte një çantë shpine ushtarake me një emër të shkruar mbi të. Nuk e dimë se çfarë u bë me pronarin e saj
Fitorja mund të duket e shkretë.
Kjo vihet re brenda qytetit lindor të Ukrainës, Lyman, i rimarrë nga rusët në fundjavë. Rrugët e shkreta rrethohen nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara ose të djegura. Mbulesa metalike e varur nga çatitë e shkatërruara përplaset nga era. Pak njerëz dalin jashtë. Numëruam pothuajse aq qen sa njerëz - megjithëse popullsia ishte rreth 20 mijë banorë para luftës.
Një pjesë e vogël e civilëve që takuam duken të tronditur nga bombardimet prej muajsh dhe të pasigurt që sprova e tyre ka përfunduar.
E vetmja valë e jetës ishte një kolonë trupash ukrainase që hipnin lart mbi transportuesit e personelit të blinduar, duke përshëndetur dhe brohoritur, teksa po largoheshin nga qyteti, përgjatë një rruge të kufizuar nga pylli me pisha.
“Llogaritarët” e të vrarëve
Trupat e pesë ushtarëve rusë të vdekur shtriheshin pranë njëri-tjetrit, tani të fryrë dhe të shtrembëruar nga vdekja, por dikur burri a djali i dikujt.
Ata ishin me uniformë, me çizme, sikur mund të ktheheshin disi në luftë. Ata duket se janë masakruar së bashku teksa tentonin të iknin.
Aty pranë pamë një grumbull uniformash ruse të hedhura, çanta gjumi dhe pako racioni. Kishte një çantë shpine ushtarake me një emër të shkruar mbi të. Nuk e dimë se çfarë u bë me pronarin e saj.
Dy të rinj vullnetarë nga një grup humanitar ukrainas po punonin me kujdes dhe në heshtje, duke numëruar trupat dhe duke kërkuar çdo gjë që mund t’i identifikonte.
Ata ishin të gjunjëzuar vetëm disa metra larg minave të shpërndara buzë rrugës, me ngjyrën e tyre jeshile të errët të kamufluar nga bari dhe gjethet. Ato janë një kërcënim i vazhdueshëm nga një armik që është shtyrë në tërheqje, ose siç tha Ministria ruse e Mbrojtjes, ishte “tërhequr në pozicione më të favorshme”.
Më vonë, vullnetarët manovruan mbetjet në qese të zeza trupore dhe i larguan - disa nga ushtarët e rënë rusë më në fund u larguan nga fusha e betejës.

Flamuri i zi
Një flamur i ri ukrainas po valëvitej mbi një tank rus T72 të kapur, të parkuar buzë rrugës. “Ne do të fitojmë”, u shpreh ushtari i ri ukrainas i buzëqeshur duke u ngjitur rreth frëngjisë së armës. “Ndihem mirë, fort mirë”.
Ajo që ndodhi këtu nuk është vetëm një humbje për presidentin Vladimir Putin. Është poshtërim i plotë. Vetëm të premten e kaluar ai ia dha lajmin botës se po aneksonte katër rajone të Ukrainës, duke përfshirë Donjeckun, ku ndodhet Lymani. Ai ka thënë se ata do të ishin “rusë përgjithmonë”.
Një ditë më vonë forcat ukrainase ishin brenda Lymanit dhe trupat e tij po vraponin për ta shpëtuar jetën e tyre.
Ukraina thotë se rreth 5 mijë trupa ruse ishin të rrethuar në Lyman, përpara se qyteti të binte. Nuk e dimë se sa janë vrarë apo kapur. Ministria e Mbrojtjes në Kiev ka njoftuar në një postim në Twitter se pothuajse të gjitha trupat ruse të pozicionuara në Lyman ishin “rivendosur ose në çanta trupash ose në robëri”.
Qyteti strategjik është portë për në rajonin fqinj të Luhanskut, i cili është pothuajse tërësisht nën kontrollin e Rusisë. Ukraina shpreson të përparojë më tej, duke përdorur fitoren e saj këtu si një trampolinë.
Lutja për paqe
Lena bashkë me djalin e saj 10-vjeçar Radionin, shpresojnë për paqe dhe për ujë të rrjedhshëm. I takuam nënën dhe djalin që po shkonin drejt një pusi për ta mbushur enën pesëlitërshe.
“Mendoj se do të ketë paqe”, ka theksuar Lena, e cila kishte veshur një kapele të zezë dhe disa shtresa kërcyese leshi. “Duhet të jemi në paqe. Të gjithë kanë vuajtur mjaftueshëm. Gjëja më e vështirë ishte t’u mbijetonim granatimeve. Luteshim teksa qëndronim në bodrum. Situata është ende e tensionuar, por në përgjithësi jam e lumtur”.
I privuar nga shkolla, Radioni ka marrë mësime nga lufta. Fytyra e tij poshtë kapelës së tij blu ishte e zbehur. “Ishte pak e frikshme në Lyman, sepse kishte shumë bombardime. Lufta është shumë e keqe sepse njerëzit po vdesin. Tani jam pak më i qetë”, ka thënë Radioni.
Të tjerët këtu duken ende të humbur në traumën e tyre, si Nadia 66-vjeçare. Ajo ishte e vetme në rrugë, duke ecur ngadalë, sikur nuk e njihte dot rrethinën e saj.
“Shpresoj për më të mirën dhe që rusët nuk do të kthehen këtu. Ishte shumë keq. Të dyja palët po qëllonin. Ne nuk kuptonim asgjë. Kur ishte qetësi, dilnim jashtë për të gatuar. Pastaj gjithçka nisi përsëri. Të gjithë jemi çmendur tani”.
“Pse po më bombardojnë?”
Më pas, ajo kishte një pyetje, të cilën e drejtoi tek ne.
“Pse po më bombardojnë?”
“Nuk kam bërë asgjë të keqe. Nuk kam vrarë. Nuk kam vjedhur. Nuk e kuptoj pse. Ndoshta mund të më thoni pse. Ne jetuam mirë, gjithçka ishte mirë, punonim. Dhe në një moment gjithçka u përmbys”.
Në rrugët përreth qytetit, slogane proruse janë vendosur në mure, kioska dhe strehimore autobusësh. CCCP është ngjitur në një front të mbyllur dyqani - germat cirilike për BRSS, Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike.
Ashtu siç presidenti Putin mund të dëshirojë ta ringjallë Bashkimin Sovjetik të tij, rrënojat e Lymanit janë dëshmi e dështimit të tij.
Ukraina tani ka vrull dhe e di se duhet të lëvizë me hapa të shpejtë, nëse e lejojnë furnizimet me armë perëndimore. Linjat e betejës do të ngurtësohen kur të vijë moti i ftohtë. Dritarja për rimarrjen e më shumë territoreve këtë dimër mund të mbyllet pas disa javësh.
Përktheu: Blerta Haxhiu