Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, thirri të martën një takim për çështjet e sigurisë ushtarake. Ai e konfirmoi se Bjellorusia po merr pjesë “në operacionin special ushtarak”, por siç tha ai, nuk po dërgon trupa për ta ndihmuar Rusinë, raportoi BBC-ja.
Pjesëmarrja, sipas tij, konsiston me trajtimin e të plagosurve, pranimin e refugjatëve dhe parandalimin e përhapjes së konfliktit në territorin bjellorus.
“Ne nuk vrasim askënd, ne nuk i dërgojmë trupat tona askund. Nuk i shkelim angazhimet tona”, deklaroi ai.
Në fillim të luftës (24 shkurt), Bjellorusia lejoi Rusinë të sulmojë Ukrainën nga territori i saj.
Ditë më parë, Lukashenko e konfirmoi se ishin lëshuar edhe raketa nga territori i tij drejt caqeve ukrainase. Në të njëjtën kohë, Lukashenko i quajti të rreme raportimet se po përgatitet mobilizimi në Bjellorusi.
Lideri bjellorus i udhëzoi komisarët ushtarakë që t’i kontrollonin të gjithë rekrutët rezervë, por vetëm “për të mos përsëritur gabimet e Rusisë”.
“Sapo është shpallur mobilizimi në Rusi dhe ne mund të shohim se cilat janë mangësitë. Ne nuk do të hyjmë në thelbin e çështjes, është punë e Federatës ruse se si ta kryejë mobilizimin”, u shpreh ai.