Çdo ditë, për shkak të luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, dhjetëra ukrainas lëndohen rëndë. Shumë ushtarakë dhe civilë humbasin gjymtyrët. Ata do të kenë nevojë për proteza gjatë tërë jetës, shkroi BBC-ja të martën.
Në Ukrainë, protezat janë falas, por ky proces për t’u pajisur me të i ka sfidat dhe problemet e veta. Viktimat shpeshherë nuk i dinë mundësitë e mjekësisë ukrainase, me ç'rast kërkojnë proteza jashtë shtetit. Por për të marrë proteza të cilësisë së lartë, duhet kaluar nëpërmjet disa procedurave burokratike.
Numri i viktimave të luftës që kanë nevojë për proteza është disa qindra. Megjithëse autoritetet nuk përmendin shifra zyrtare, viktimat po shtohen çdo ditë.

Në qershor, ministri i Shëndetësisë, Viktor Lyashenko, deklaroi se më shumë se 500 ukrainas kanë nevojë për proteza dhe për rehabilitim për shkak të humbjes së gjymtyrëve. Sipas vlerësimeve nga Projekti i Mbështetjes së Protetikës në Ukrainë, numri i amputimeve është trefishuar në krahasim me vitet e mëparshme.
Fondi i Mbrojtjes Sociale ukrainase për Personat me Aftësi të Kufizuara, bëri të ditur se që nga 24 shkurti deri më 11 shtator, 212 ushtarakë aplikuan për protezë.
Vlad dhe Maksym janë personel ushtarakë, që u nisën në front menjëherë kur nisi agresioni rus. Ata u plagosën, me ç'rast humbën njërën këmbë. Në vend të këmbës, Vladi tani ka vendosur protezë moderne.
“Tani, kur eci me protezë, ndjej këmbën. Më duket se është këmba ime. Mund të shtyp edhe gazin në makinë”, deklaroi i gëzuar ai. Maksym shtoi se duhet të mësohet me protezën për ca kohë. Ai shtoi se proteza është komode për përdorim, edhe pse është e pazakontë. Pas trajtimit, ushtari është kthyer në shërbim.
“Unë do të kërkoj të kthehem, sepse kjo luftë të përfundojë. Ne ishim atje, ne dimë gjithçka", deklaroi Vladi. Ai u shpreh i lumtur që pati fatin të merrte protezë jashtë vendit, derisa kujtoi se vëllezërit e tij kishin marrë protezë "ukrainase”. Ata u ankuan për jofunksionalitet të pajisjes.
Vlad dhe Maksym ishin të parët nga pesë ushtarët ukrainas që u pajisën me proteza në SHBA. Shpenzimet u mbuluan nga projekti.

Së bashku me ta, me protesta u pajisën edhe dy fëmijë dhe një i rritur. Çfarë duhet bërë nëse humbni një gjymtyrë? Përgatitja për protezë fillon pothuajse menjëherë pas daljes nga salla e operacionit. Përgatitet forma dhe kryhet rehabilitimi.
Viktima zgjedh në mënyrë të pavarur një kompani protetike që do t'ia punojë “gjymtyrën”.