Botë

Duma ruse ratifikon aneksimin e rajoneve ukrainase

Pa asnjë votë kundër e asnjë abstenim, Duma e Rusisë i ratifikoi të hënën traktatet për futjen e Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit, nën administrimin rus. Këto rajone, zyrtarisht të Ukrainës, u miratuan si pjesë e Rusisë me ligje kushtetuese, derisa më 4 tetor, Këshilli i Federatave duhet t’i shqyrtojë.

Pas kësaj, vendimet duhet të dekretohen nga presidenti Vladimir Putin, raportoi BBC-ja.

Parlamenti rus mori këtë vendim në një kohë kur asnjë nga rajonet ukrainase nuk janë plotësisht të pushtuara nga Rusia. Luftimet po vazhdojnë dhe forcat e Ukrainës po arrijnë suksese në kundërofensivë.

Perëndimorët janë zotuar gjithashtu që të mos i njohin rajonet e aneksuara nëpërmjet referendumeve të rreme si pjesë të territorit rus.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, deklaroi se veprimet e Moskës “nuk kanë legjitimitet”, duke shtuar se SHBA-ja do t’i respektojë gjithmonë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Bashkimi Evropian në anën tjetër, u shpreh se nuk do ta njohë “aneksimin e paligjshëm” nga ana e Kremlinit.