Botë

Schmidt ndryshon Ligjin zgjedhor që Bosnja të dalë nga kriza

Bosnjë-Hercegovina po kalon krizën e saj më të thellë politike që nga fundi i luftës së saj në vitet 1990, e nxitur nga politikat separatiste të udhëheqjes serbe dhe kërcënimet për bllokada nga kroatët e Bosnjës. Vetëm një orë pas mbylljes së qendrave të votimit, mbikëqyrësi ndërkombëtar i paqes për Bosnjën ndryshoi ligjin zgjedhor, duke vendosur afate për formimin e qeverisë

Sarajevë, 2 tetor (Reuters) - Qendrat e votimit në Bosnje-Hercegovinë u mbyllën të dielën pasi votuesit dolën për të zgjedhur presidencën e re kolektive të vendit dhe ligjvënësit në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, në një garë midis nacionalistëve me rrënjë të thella dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.

Bosnja po kalon krizën e saj më të thellë politike që nga fundi i luftës së saj në vitet 1990, e nxitur nga politikat separatiste të udhëheqjes serbe dhe kërcënimet për bllokada nga kroatët e Bosnjës.

Vetëm një orë pas mbylljes së qendrave të votimit, mbikëqyrësi ndërkombëtar i paqes për Bosnjën vendosi ndryshime në ligjin zgjedhor, duke vendosur afate për formimin e qeverisë.

Bosnja përfshin dy rajone autonome, Republikën Serbe të dominuar nga serbët dhe Federatën e përbashkët nga boshnjakët, ose myslimanët boshnjakë, dhe kroatët, të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore. Federata është e ndarë më tej në 10 kantone. Në veri ndodhet edhe rrethi neutral Brçko.

Ish-politikani gjerman, Christian Schmidt, i cili ka fuqi të mëdha si Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar në Bosnje, veproi për të mundësuar një qeveri funksionale, tha ai.

“Është vendimtare për fatin e këtij vendi që nuk do të ketë bllokada”, tha Schmidt duke iu drejtuar publikut në një mesazh në Youtube. “Prandaj vendos masat që do të përmirësojnë funksionalitetin e institucioneve të Federatës”.

Udhëheqësit kroatë kishin paralajmëruar se mund të bllokojnë formimin e një qeverie të re të Federatës pas zgjedhjeve, nëse ligji zgjedhor nuk ndryshohet për të forcuar përfaqësimin e tyre në dhomën e lartë të parlamentit.

Mubera Saraç, pensioniste nga Sarajeva, shpreson se zgjedhjet do të sillnin ndryshim, veçanërisht për të rinjtë.

"Nuk ka rëndësi nëse fitojnë politikanët e vjetrit apo të rinj, ata vetëm duhet të ndryshojnë diçka në mendjen e tyre për hir të të rinjve tanë", tha ajo ndërsa mbërriti në një qendër votimi.

Fushata zgjedhore nga partitë etnike në pushtet u dominua nga retorika nacionaliste, duke u fokusuar në temat e mbrojtjes së interesave kombëtare dhe kritikave të kundërshtarëve dhe jo në çështje të tilla si vendet e punës dhe inflacioni në rritje.

Mungesa e sondazheve të besueshme e ka bërë të vështirë parashikimin e rezultatit, por shumë analistë besojnë se partitë nacionaliste do të mbeten dominuese dhe se ndryshimi më i madh mund të vijë në kampin boshnjak, i cili është më i madhi dhe më i larmishëm politikisht.

Pjesëmarrja ishte 50% deri në orën 19:00, por shifrat ende mungonin nga disa qendra votimi që qëndruan të hapura më gjatë, thanë autoritetet zgjedhore.

Pavarësisht raportimeve për parregullsi dhe ndalimin e disa njerëzve për mashtrim, zyrtarët thanë se votimi kishte ecur në mënyrë të kënaqshme.