Qeveritë evropiane ende janë duke menduar për çmimet e gazit, mirëpo disa biznese e kanë marrë me ngut gjetjen e zgjidhjeve për krizën energjetike.
Në Bruksel, qendrën e Bashkimit Evropian, një grup i pronarëve të restoranteve kanë imagjinuar se si do të duket e ardhmja pa energji elektrike dhe gaz.
Mysafirët që shijuan darkën në një prej këtyre restoranteve, ishin të parët që përjetuan atë pa furra, ngrohëse, pjata të nxehta, aparatet e kafeve dhe ndriçimin. Mirëpo ushqimi ishte i shijshëm. Vetëm se myshterinjtë kishin të ftohtë dhe darkën e kaluan nën dritën e qirinjve.
Mirëpo ajo që në shikim të parë dukej si darkë romantike, në fakt është ajo me të cilën mund të përballen njerëzit nëse faturat e energjisë elektrike vazhdojnë të ngritën.
Myshterinjtë kanë thënë se janë në udhëkryq: Të qëndrojnë në shtëpi për t’u ngrohur apo të hanë ushqim jashtë për të kursyer.
Rritja dramatike e inflacionit në Belgjikë mund të kishte qenë pengesë, mirëpo rreth 50 të ftuar morën pjesë në darkën e së enjtes, të organizuar nën nismën “Brukseli në terr”, pjesë e së cilës janë dhjetëra restorante.