Botë

Putini sfidon seriozisht Perëndimin me aneksimin e Ukrainës lindore

Presidenti Putin do të mbajë fjalimin dhe do të takohet me liderët e katër rajoneve të pushtuara. Ukraina dhe aleatët e saj e kanë kundërshtuar aneksimin e planifikuar të katër rajoneve – Donetskut, Luhanskut dhe një pjese të madhe të Khersonit e Zaporizhzhias.
 

Në vitin 2020, Putini ka nënshkruar dekretin që përditëson doktrinën bërthamore të Rusisë. Kështu mundësohet përdorimi i armëve bërthamore “në rast të ndonjë agresioni kundër Federatës Ruse me përdorimin e armëve konvencionale, kur vetë ekzistenca e shtetit është nën kërcënim”.

Presidenti Vladimir Putin do të nënshkruajë marrëveshjet të premten me të cilat do të përfshijë në territorin rus mijëra kilometra katrorë të territorit ukrainas, në atë që po cilësohet si aneksimi më i madh i kryer me forcë në Evropë që prej vitit 1945.

Marrëveshjet do të nënshkruhen me një ceremoni të organizuar në Kremlin vetëm tri ditë pasi regjimi rus organizoi referendumet me të cilat u vendos që katër zona të Ukrainës të përfshihen në territorin rus.