Burrave ukrainas në rajonin e Khersonit, u është thënë se mund të thirren për të luftuar për ushtrinë ruse, shkroi të mërkurën BBC-ja.
Përparimi i Ukrainës në rajonet verilindore të Khersonit dhe Zaporizhzhias ka qenë i dukshëm, por jo edhe në rajonet jugore të këtyre vendeve.
Referendumi i rremë rus në katër rajone ukrainase ka sjell kërcënim të ri për popullatën lokale.
Mobilizimi i urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, mund të bëjë që shumë ukrainas që banojnë në territore të pushtuara të thirren për të luftuar për ushtrinë ruse.
Siç tregojnë banorët e këtyre zonave, ushtarët rusë tashmë po shkojnë shtëpi më shtëpi nëpër fshatra dhe po i marrin emrat e banorëve meshkuj.
Ata pretendojnë se ushtarët u kanë thënë të jenë gati për thirrje pas referendumit.
Burrat e moshës 18-35 vjeç raportohet se nuk po lejohen të largohen më nga territoret e pushtuara.
Sipas ushtarëve ukrainas, thirrja ruse do të paraqesë më shumë sfida për kundërsulmin e Ukrainës, pasi që do të përshkallëzohet lufta dhe më shumë njerëz do të vdesin.
"Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë armikun tonë. Këta ushtarë rusë të rinj të rekrutuar do të kenë armë dhe granata, kështu që ata do të përbëjnë një kërcënim, të cilin ne do të duhet ta eliminojmë", thotë Stus, komandant ukrainas.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar për mobilizimin e 300.000 rezervistëve për të luftuar në Ukrainë.
Shumë qytetarë rusë kanë lëshuar vendin pas kësaj thirrjeje, e mijëra njerëz të tjerë janë arrestuar për shkak të protestave që i mbajtën kundër këtij urdhri.