Botë

"Trupa kishte kudo"

Duke folur nga një shtrat spitali, ende i tronditur, Ibrahim Mansour, një nga 20 njerëzit që i mbijetuan një prej katastrofave më vdekjeprurëse të anijeve në Mesdheun Lindor, thotë se nuk mund ta falë veten që nuk i shpëtoi dot të tjerët. “Unë qaj gjatë gjithë kohës; jam në shok. Pashë trupa dhe imazhe të tmerrshme. Zemrat e mia!”, tha Mansour

Nëntëdhjetë e shtatë persona kanë vdekur – përfshirë 24 fëmijë – pasi një varkë plot me azilkërkues që po shkonte nga Libani në Evropë u përmbys në Mesdhe.

Duke folur nga një shtrat spitali, ende i tronditur, Ibrahim Mansour, një nga 20 njerëzit që i mbijetuan një prej katastrofave më vdekjeprurëse të anijeve në Mesdheun Lindor, thotë se nuk mund ta falë veten që nuk i shpëtoi dot të tjerët.

Më shumë se 150 persona ishin në bordin e varkës së vogël që lundroi nga Libani i goditur nga kriza të mërkurën në mëngjes, me shpresën për të arritur në Itali për një jetë më të mirë.

Ata në bord ishin kryesisht libanezë, sirianë dhe palestinezë, dhe përfshinin fëmijë dhe të moshuar, sipas Kombeve të Bashkuara.

“Nëse ktheheni, ne do t'ju qëllojmë”

Katër orë pasi varka nisi lundrimin, motori ndaloi. Mansour, 29 vjeç, i tregoi “Al-Jazeeras” se ata që ishin në bord e thirrën kontrabandistin në breg, por ai tha: “Nëse ktheheni, ne do t'ju qëllojmë.

“Ne telefonuam gjithashtu 112-shin për të kërkuar ndihmë nga autoritetet libaneze, por asnjë ndihmë nuk erdhi”.

Për shkak të valëve të larta, anija humbi kontrollin dhe u përmbys në portin sirian të Tartous, rreth 50 kilometra në veri të Tripolit në Liban. Në pak çaste 100 njerëz vdiqën, tha Mansour. Ai pa "trupa kudo".

Ata që mbijetuan ishin ngjitur në varkën që u përmbys.

“Unë qaj gjatë gjithë kohës; jam në shok. Pashë trupa dhe imazhe të tmerrshme. Zemrat e mia!”, tha Mansour. “U përpoqa të ndihmoja fëmijët dhe një burrë tjetër; U përpoqa t'ua mbaja gjallë shpirtin, por nuk munda. Kjo po më lëndon, veçanërisht për shkak të fëmijës që më mbante përpara se ta humbja. Më thanë se kishte vdekur”.

Mansour përfundimisht notoi në bregun sirian duke arritur në bregdet të enjten mbrëma.

Media shtetërore siriane raportoi se 97 persona kanë vdekur, 20 persona janë shpëtuar dhe të tjerët janë ende të zhdukur.

24 fëmijë dhe 31 gra

Mes të vdekurve janë 24 fëmijë dhe 31 gra, sipas ministrit libanez të Transportit, Ali Hamie.

Në një deklaratë të dielën, sekretari i përgjithshëm i Komisionit të Lartë të Ndihmës në Liban, Mohammad Khair, tha se pesë libanezë dhe tetë palestinezë, të cilët ishin në varkë, janë ende duke u trajtuar në spitalin Al-Basel, në qytetin Tartous të Sirisë dhe do të kthehen së shpejti në Liban.

Ushtria libaneze tha se arrestoi një person që besonte se ishte pas "operacionit të dyshuar të kontrabandës" në Itali.

Një tjetër i ri, i cili i mbijetoi asaj që ai e quan "një makth", ia tha “Al-Jazeeras” historinë e tij nga një ambulancë ndërsa po kthehej nga Siria në Liban: "Është e pamundur të harrosh atë që ka ndodhur dhe skenat që kam kaluar”.

Kur anija u përmbys “njerëzit në bord u shtynë nga dallgët në të gjitha drejtimet, majtas dhe djathtas, nën dhe mbi ujë. Askush nuk erdhi për të na shpëtuar”, tha ai.

“Kam qëndruar gati 24 orë pranë varkës lundruese, e cila u përmbys; nuk ishte fundosur. Arrita ta mbaja veten mbi varkë dhe më pas notova për 13 orë derisa arrita në bregun sirian Tartous. Më kanë thënë se disa të mbijetuar u shpëtuan nga varkat ruse dhe siriane, por nuk pashë asgjë derisa arrita në breg", tha ai.

"Situata po arrin një nivel të dëshpëruar"

Fatkeqësia nxjerr në pah varfërinë gjymtuese dhe dëshpërimin në rritje që ka detyruar shumë njerëz në Liban, përfshirë Mansourin, të tentojnë kalimin e rrezikshëm përmes Mesdheut, me shpresën për të arritur në Evropë.

Libani, një vend që ka strehuar më shumë se një milion refugjatë nga lufta e Sirisë, që nga viti 2019 është zhytur në një krizë financiare të cilësuar nga Banka Botërore si një nga më të këqijat në kohët moderne.

Që nga viti 2020, Libani ka parë një rritje të numrit të qytetarëve libanezë, të cilët u janë bashkuar refugjatëve palestinezë dhe sirianë në përpjekje për udhëtime të rrezikshme me varka në kërkim të një jete më të mirë.

Zeina Khodr, e “Al-Jazeeras”, duke raportuar nga Tripoli, tha se "sipas komisionarit të lartë të OKB-së për refugjatët (UNHCR), rreth 3.500 individë u përpoqën të bënin udhëtimin vetëm këtë vit, por burimet e sigurisë na thonë se kjo është një shifër konservatore".

Shumë në varkë ishin refugjatë palestinezë, të cilët, që nga Nakba në vitin 1948 (kur qindra mijëra palestinezë u spastruan etnikisht nga shtëpitë e tyre prej milicive sioniste), kanë jetuar në të gjithë Libanin në kampe të mbipopulluara, të improvizuara, të cilave u mungon infrastruktura bazë. Refugjatët palestinezë që jetojnë në Liban nuk kanë të drejta elementare; atyre u mohohet shtetësia dhe nuk kanë qasje në kujdesin shëndetësor apo arsim.

Si në ferr

Tamara Alrifai, zëdhënëse e Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët në Palestinë (UNRWA), i tha “Al-Jazeeras” se në varkën e përmbysur kishte rreth 25-30 refugjatë palestinezë. Shumica e tyre ishin nga kampi i refugjatëve Nahr Al-Bared, "një kamp që u shkatërrua shumë rreth 15 vjet më parë në një nga raundet e dhunës në Liban".

"Situata e refugjatëve palestinezë në Liban po arrin një nivel kaq të dëshpëruar saqë ata janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre përgjatë këtyre rrugëve të rrezikshme nëse ka shpresë në anën tjetër", tha Alrifai. "Pala tjetër duket gjithmonë më mirë se ajo që shumë prej tyre e përshkruajnë si ferr".

“[Refugjatët palestinezë në Liban janë të margjinalizuar, të privuar nga të drejtat e tyre, të ndaluar nga zotërimi i pronave, të ndaluar nga profesionet. Kolapsi ekonomik dhe financiar i Libanit, veçanërisht vitin e kaluar, ka goditur të parët më të rrezikuarit [përfshirë refugjatët palestinezë]”.

Alrifai tha se mes grupit palestinez të emigrantëve dy prej tyre ishin nxënës të shkollës së UNRWA-s.

Kushte poshtëruese

“Këta janë njerëz që ne i njohim, këta janë të rinj që shkojnë në shkollë, që kanë arsim, që donin të shkonin në anën tjetër dhe të kërkonin një jetë më të mirë për ta dhe për fëmijët e tyre. Kjo është vërtet tragjike dhe kolegët e mi në UNRWA janë të tmerruar nga lajmet”.

“Askush nuk dëshiron të jetë refugjat. Askush nuk dëshiron të jetojë një jetë kaq poshtëruese siç jetojnë refugjatët palestinezë në shumë prej këtyre kampeve”, tha Alrifai.

Khodr, korrespondenti i “Al-Jazeeras” që raporton nga Libani verior, tha se shumë familje janë ende në pritje për të marrë trupat e të afërmve të tyre.

"Disa janë identifikuar dhe janë kthyer për varrim", tha ajo. “Të tjerët janë ende në Siri në pritje të rezultateve të testeve të ADN-së. Derisa të merren, nuk do të dihet se sa apo kush mbetet i zhdukur në det”.

“Refugjatët (të mbijetuarit) libanezë dhe palestinezë po mbërrijnë në shtëpi, por refugjatët sirianë nuk janë kthyer. As trupat e tyre. Familjet e tyre që i shpëtuan sundimit të presidentit, Bashar al-Assad, do të kenë frikë të kalojnë kufirin për të identifikuar të dashurit e tyre”.

Përktheu: Forca Jashari