Botë

Princi Mohammed bin Salman emërohet kryeministër i Arabisë Saudite

Foto: The Guardian

Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, emëroi djalin dhe trashëgimtarin e tij Princin Mohammed bin Salman, kryeministër të mbretërisë, shkroi të martën Reuters.

Siç bëhet e ditur në dekretin mbretëror, Abdulaziz ka emëruar djalin e tij të dytë, Princin Khalid, ministër të Mbrojtjes.

Sipas këtij dekreti, Ministri i Jashtëm Princi Faisal bin Farhan Al Saud, Ministri i Financave Mohammed al-Jadaan dhe Ministri i Investimeve Khalid al-Falih mbetën në po të njëjtat pozita.

Princi i kurorës deri tani ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, madje ka vite që konsiderohet udhëheqës de facto i Arabisë Saudite.

Mbreti Salman do të vazhdojë të kryesojë mbledhjet e kabinetit në të cilat ai merr pjesë.