Rrjeti i gazsjellësit Nord Stream, një pjesë e të cilit furnizon Gjermaninë me gaz nga Rusia, është dëmtuar në tri vende, ka thënë operatori i tij të martën.
Dëmtimi i sistemit të gazsjellësit në shtratin e Detit Baltik, i shkaktuar i gjithi brenda një dite, “ishte i paprecedentë”, shtoi Nord Stream AG, shkruan Sky News të martën.
Kremlini tha të martën se nuk mund të përjashtohet sabotimi, derisa autoritetet po hetojnë.
Ekspertët thanë gjithashtu se sabotimi ka mundur të ndodhte.
Një burim i tha Reutersit se “ka disa indikacione se dëmtimi është i qëllimshëm”.
Më herët, Autoriteti Detar i Suedisë lëshoi një paralajmërim për dy rrjedhje në tubacionin Nord Stream 1, i cili deri në fillimin e luftës në Ukrainë siguronte rreth 60 për qind të nevojave të Gjermanisë për gaz.
Të hënën, Danimarka lëshoi një paralajmërim për rrjedhje në tubacionin Nord Stream 2 ende i pahapur, i cili ishte ndërtuar për të rritur sasinë e gazit rus në Gjermani.
Rrjedha nga Nord Stream 2, në juglindje të ishullit danez të Bornholmit në Detin Baltik, nxiti “alarmin” për largimin e anijeve për t’i mbrojtur nga çdo rrezik.
Nord Stream AG tha se është e pamundur të vlerësohej se kur sistemi i rrjetit të gazit do të funksionojë përsëri.
“Shkatërrimi që ndodhi në të njëjtën ditë në tri pjesë të tubacioneve të gazit në det është i paprecedentë”, tha Nord Stream në komentet për gazetarët, pa thënë se çfarë mendonte kompania përgjegjëse për dëmin. "Nuk është ende e mundur të vlerësohet koha e restaurimit të infrastrukturës së transportit të gazit".