Botë

NATO: Kurrë nuk do t’i njohin referendumet e rreme ruse në rajonet e Ukrainës

NATO ka dënuar planin për mbajtjen e referendumeve për bashkim me Federatën ruse në rajonet e Ukrainës që po kontrollohen pjesërisht nga Moska.

NATO-ja ka thënë se aleatët e saj nuk do t’i njohin asnjëherë këto referendume të rreme në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson të Ukrainës, ashtu siç nuk e njohin kurrë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia.

“Referendumet false në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson të Ukrainës nuk kanë legjitimitet dhe do të jenë një shkelje e hapur e Kartës së OKB-së. Aleatët e NATO-s nuk do ta njohin aneksimin e tyre të jashtëligjshëm. Këto toka janë të Ukrainës. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të refuzojnë përpjekjet flagrante të Rusisë për pushtim territorial”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga NATO-ja.

Sipas Aleancës Veriatlantike këto vendime, përfshirë edhe mobilizimin e pjesshëm ushtarak janë përshkallëzim i mëtejshëm i situatës me luftën e nisur nga vetë Rusia.