Botë

Dy të vdekur në Turqi pas rrëzimit të helikopterit për shuarje të zjarrit

Dy persona kanë vdekur të mërkurën pas rrëzimit të një helikopteri zjarrfikës në Turqi, shkroi “Euronews”.

Helikopteri dyshohet se është rrëzuar, derisa ishte rrugës për të shuar një zjarr.

Ministria e Brendshme e Turqisë ka njoftuar se helikopteri është rrëzuar të mërkurën në një fushë pranë Marmarisit, qytet turistik në detin Egje.

Zyrtarët kanë thënë se helikopteri ka udhëtuar nga provinca veriore e Kastamonut për të shuar një zjarr pyjor rreth zonës Yalancibogaz të Marmarisit.

Pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar nga ky aksident.

Lidhur me rastin është hapur një hetim për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

Gjithsej pesëmbëdhjetë helikopterë dhe tetë avionë janë mobilizuar për të shuar zjarrin pranë Marmarisit.