Botë

Tajfuni Nanmadol, miliona japonezëve u është thënë të evakuohen

Një nga tajfunët më të mëdhenj që ka goditur Japoninë ndonjëherë, ka arritur në ishullin jugor Kyushu, raporton BBC.

Tajfuni Nanmadol ka sjellë erëra me shpejtësi së paku 180 kilometra në orë, e shira të mëdha janë parashikuar në Japoni për të dielën e të hënën.

Së paku 4 milionë personave u është thënë të largohen nga shtëpitë.

Priten edhe vërshimet dhe rrëshqitje të tokës, ndërsa janë anuluar qindra fluturime e po ashtu edhe shërbime të trenave të shpejtë.

Tajfuni ka arritur në qytetin Kagoshima, në ishullin Kyushu.

Kyushu ka popullatë rreth 13 milionë banorë.

Nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë është thënë se tajfuni Nanmadol do të sjellë shira e erëra të fuqishme, që mund të shembin shtëpi.

Tajfuni pritet të kalojë në drejtim të Tokios në ditët në vijim, ndërsa po parashihet ta mbajë fuqinë.