Botë

Nëntë të vdekur e rreth 20 të lënduar nga një rrëmujë në një koncert në Guatemala

Të paktën nëntë persona kanë vdekur e rreth 20 të tjerë janë lënduar nga një rrëmujë e shkaktuar mëngjesin e së enjtes (sipas kohës në Kosovë), në një koncert në Guatemala.

Viktimat, sipas autoriteteve, kanë vdekur nga përplasja mes njerëzve të cilët po përpiqeshin t’i kalonin dyert e hyrjes së koncertit, që po mbahej për ta festuar pavarësinë e vendit, raportoi Associated Press të enjten.

Amilcar Rivas, menaxher i qytetit Quetzaltenango ka thënë se organizatorët e koncertit nuk e kanë bërë mirë sigurimin e zonës ku do të mbahej koncerti. Sipas tij, ngjarja pati leje për t’u zhvilluar.

Quetzaltenango është qyteti i dytë më i madh në Guatemala dhe është rreth 200 km larg Guatemala City.

Guatemala është duke festuar 201-vjetorin e pavarësisë nga Spanja.