Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka lutur amerikanët që të bëhen bashkë për një “qëllim kombëtar” – që t’i jepet shtytje luftës për t’i dhënë fund sëmundjes së kancerit.
Duke kujtuar një fjalim të famshëm të ish-presidentit John F. Kennedy për hapësirën, Bideni krahasoi përpjekjet e asaj kohe me përpjekjen e tij për luftimin e kancerit.
“Ua jap fjalën si Biden: Kjo iniciativë ndaj kancerit është një nga arsyet përse hyra në garën për president. Është pjesë e agjendës sime për të unifikuar popullin amerikan. Sepse e dimë që: kanceri nuk i dallon të kuqtë apo të kaltrit (Republikanët apo Demokratët). Mposhtja e kancerit është diçka që mund ta bëjmë bashkë, dhe prandaj jam këtu sot. Ai krijoi një qëllim kombëtar që mblodhi popullin amerikan rreth një kauze të përbashkët. Ne mund ta bëjmë të njëjtën”, ka thënë ai të hënën në një fjalim në Bibliotekën dhe Muzeun Presidencial të presidentit të 35-të të SHBA-së.
Bideni shpreson që SHBA-ja t’i afrohet më shumë qëllimit që e shënjestroi në shkurt, për të përgjysmuar numrin e fataliteteve nga kanceri në 25 vjetët e ardhshëm dhe të përmirësojë në mënyrë dramatike jetën e atyre që vuajnë nga kanceri. Ekspertët thonë se qëllimi është i arritshëm – nëpërmjet investimeve adekuate.
Në fjalimin e tij, Bideni i bëri thirrje sektorit privat të lirojë çmimet e ilaçeve dhe të ofrojë të dhëna më të rregullta. Ai ka folur edhe për një studim të ri që kërkon prova për përdorimin e testeve të gjakut për të ekzaminuar kanceret – një ndryshim i madh nga testimi diagnostik për të përmirësuar në mënyrë drastike zbulimin e hershëm të kancerit. Danielle Carnival, koordinatore e Shtëpisë së Bardhë për këtë çështje, i ka thënë Associated Pressit se administrata sheh potencial të madh në këtë studim për identifikim më të lehtë të kancereve në fazën e hershme.
Në fillim të vitit 2022, Shoqata Amerikane e Kancerit kishte paraparë 1.9 milionë raste të reja të kancerit sivjet e se 609 mijë qytetarë do të vdisnin nga kanceri. Qendra për Parandalimin e Sëmundjeve e ka renditur kancerin si vrasësin e dytë të njerëzve në SHBA, pas telasheve në zemër.
Çështja është edhe personale për Bidenin, që humbi të birin Beau në vitin 2015, si pasojë e kancerit në tru. Pas vdekjes së tij, Kongresi amerikan miratoi Aktin e Kurave të Shekullit 21, që ia dedikoi 1.8 miliardë dollarë për shtatë vjet hulumtimeve për kancer dhe u nënshkrua si ligj nga Barack Obama më 2016. Atëkohë Bidenit, si zëvendëspresident, iu delegua “udhëheqja”.
Pavarësisht, përpjekjeve të Bidenit për të krahasuar misionin me programin e hapësirës së Kennedyt, aktualisht ka shumë më pak buxhet. Programi “Apollo” asaj kohe, pati grumbulluar më shumë se 20 miliardë dollarë.
Kanceri më i shpeshtë në SHBA është ai i mushkërive. Nga 1670 vdekjet nga kanceri çdo ditë në SHBA, më shumë se 350 prej tyre janë si pasojë e kancerit të mushkërive.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.