Botë

Putini mbyll një prej mediumeve të fundit të pavarura

Novaya Gazeta, një prej mediave të fundit të lajmeve të pavarura ruse, iu hoq licenca të hënën e me ketë edhe iu ndalua operimi, njoftoi Reuters.

Mbikëqyrësi i mediave ruse “Rozkomnadzor” kishte akuzuar mediumin për dështim të sigurimit të dokumenteve në lidhje me ndryshimin e pronësisë në vitin 2006.

Vendimi u mor të hënën nga një gjykatë në Moskë.

Duke folur jashtë gjykatës, kryeredaktori Dmitry Muratov, laureat i Nobelit për Paqe për përpjekjet e tij për të mbështetur raportimin kritik në Rusi, tha se vendimi “ishte një e goditur politike, pa bazën më të vogël ligjore".

Ai tha se mediumi do të apelojë vendimin.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut e quajti vendimin " goditje tjetër për pavarësinë e mediave ruse" dhe i kërkoi Moskës të mbrojë lirinë e shtypit.

Novaya Gazeta, një element i fortë i skenës mediatike të Rusisë, që nga themelimi i saj më 1993 me paratë nga Çmimi Nobel për Paqe të liderit të ndjerë sovjetik Mihail Gorbaçov, kishte krijuar një vend si media kryesore hulumtuese e Rusisë, edhe pse liritë e shtypit u zhvlerësuan gradualisht.

Me fillimin e luftës në Ukrainë, Kremlini ka rritur presionin mbi mediat e pakta kritike, duke i mbyllur ato dhe duke i burgosur pronarët e gazetarët.