Botë

Gorbachevi varroset në Moskë, në funeral mungonte Putini

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev, i njohur për reformat drastike që i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe luajti rol vendimtar në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Mirëpo ceremoninë lamtumire për të e shmangu presidenti Vladimir Putin, raportoi AP.

Refuzimi i Kremlinit për të organizuar funeralin shtetëror reflekton ndasitë për trashëgiminë e Gorbachevit, që nga bota u lavdërua për heqjen e Perdes së Hekurt, por në sytë e shumë rusëve ishte fajtor për shembjen e Bashkimit Sovjetik dhe tkurrjen ekonomike që la në varfëri miliona prej tyre.

Të enjten Putini ka lënë lule në arkivolin e Gorbachevit në spitalin e Moskës. Kremlini ka deklaruar se agjenda e ngjeshur e presidentit ia ka pamundësuar që të marrë pjesë në funeral.

I pyetur për angazhimet që do t’ia pamundësojnë Putinit pjesëmarrjen, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti do të ketë takime pune, thirrje ndërkombëtare dhe se do të bëhet gati për forumin e biznesit në Lindjen e Largët të Rusisë.

Arkivoli i Gorbachevit, i cili vdiq të martën në moshën 91-vjeçare, është vendosur në varrezat Vovodevichy të Moskës. Ai është varrosur përkrah bashkëshortes së tij, Raisa.

Turma e madhe e njerëzve i detyroi organizatorët e ceremonisë që ta shtynin varrimin për më shumë se dy orë.

Ani pse ishte një ceremoni prestigjioze, Kremlini nuk e ka cilësuar si funeral shtetëror. Ka deklaruar se ceremonia do të ketë elemente të shtetit, siç ishin rojat e nderit dhe ndihmën e Qeverisë për organizimin e varrimit

Shpallja e funeralit shtetëror të Gorbachevit do ta obligonte pjesëmarrjen e Putinit, dhe Moskës do t’i kërkohej të ftonte liderët e huaj, diçka që ishte e pamundur të bëhej në kohën e tensioneve me Perëndimin për shkak të luftës në Ukrainë.

Ceremonia për Gorbachevin ishte relativisht modeste krahasuar me funeralin shtetëror që iu bë Boris Yeltsinit në vitin 2007. Yeltsini ishte lideri i parë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe personi që i hapi rrugë Putinit në postin e presidentit.