Autoritetet e Letonisë shkatërruan të enjten një monument të epokës sovjetike në kryeqytetin Riga, në përputhje me një ligj të miratuar pas pushtimit rus të Ukrainës dhe pavarësisht protestave të pakicës ruse në shtetin baltik, shkruan AFP-ja.
Monumenti, 79 metra i lartë, i ngritur ndërmjet viteve 1979 dhe 1985 për të përkujtuar fitoren e ushtrisë sovjetike mbi Gjermaninë naziste, u shkatërrua me ndihmën e makinerive të shumta e të mëdha. Shkatërrimi nisi të martën.
AFP-ja shkruan se sheshi ku ishte monumenti ishte kthyer në një vend grumbullimi për mbështetësit e Kremlinit në Letoni.
Monumenti në Riga mbrohej me një marrëveshje e vitit 1994.
Letonia, si fqinjët e saj baltik, Lituania dhe Estonia, është pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe ka dalë fuqishëm në mbështetje të Ukrainës pas pushtimit rus të atij vendi.
Çdo vit, mijëra rusë, të cilët përbëjnë rreth 30 për qind të popullsisë së Letonisë, mblidhen më 9 maj për të përkujtuar fitoren e vitit 1945. Por shumica e letonëve e shohin atë datë si fillimin e pushtimit gati 50-vjeçar sovjetik që përfundoi më 1991, me pavarësimin e këtij vendi.
Pothuajse të gjitha monumentet dhe pllakat e epokës sovjetike, përveç atyre në varrezat ushtarake, u hoqën në vitin 1991 dhe monumenti i Rigës u mbrojt nga një traktat i vitit 1994 midis Republikës së Letonisë dhe Federatës Ruse.