Ushtria amerikane ka njoftuar se ka kryer sulme ajrore në zonat në lindje të Sirisë të përdorura nga milicët e mbështetur nga Irani, raporton agjencia AP.
Zëdhënësi i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane, koloneli Joe Buccino, në një deklaratë të mërkurën ka thënë: “Sulmet e sotme ishin të nevojshme për të mbrojtur personelin amerikan”. Ai ka thënë se sulmet ishin përgjigje ndaj një sulmi më 15 gusht që kishte cak forcat amerikane.
“Sulmet ishin proporcionale, me qëllim për të limituar rrezikun e eskalimit dhe minimizuar rrezikun e viktimave”, ka thënë Buccino.
Ai nuk ka identifikuar objektivat që janë goditur dhe as ndonjë shifër të viktimat nga sulmet.
Sulmet goditën Deir Ez-Zorin, një provincë që kufizohet me Irakun dhe përmban fusha të naftës. Grupet e milicisë të mbështetura nga Irani dhe forcat siriane kontrollojnë zonën.