Të paktën tetë fëmijë kanë mbetur të vdekur nga përmbytjet që rrënuan disa shtëpi në Afganistanin qendror dhe lindor këtë javë, ka njoftuar të martën Agjencia e Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara.
Sipas kësaj agjencie edhe shumë fëmijë të tjerë rezulton se janë zhdukur, shkroi Reuters.
Kombet e Bashkuara po vendosin ekipe reagimi në Afganistanin lindor për të ofruar ndihmë për mijëra njerëz që humbën shtëpitë, bagëtinë dhe të korrat në përmbytjet e mëdha që kanë goditur vendin që nga java e kaluar.
Zëdhënësja e UNICEF-it në Afganistan, Samantha Mort, tha se numri i viktimave të fëmijëve mund të rritet.
Autoritetet e administratës talebane kanë thënë se të paktën 20 persona kanë vdekur dhe i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë.
Afganistani është përfshirë nga fatkeqësitë natyrore këtë vit, duke përfshirë një thatësirë dhe një tërmet masiv që mbyti mbi një mijë njerëz në qershor, me vendin kryesisht të shkëputur nga sistemi financiar ndërkombëtar që kur talebanët pushtuan një vit më parë.