Qeveritë, bizneset dhe familjet në mbarë botën po ndjejnë efektet ekonomike të luftës vetëm dy vjet pasi pandemia e koronavirusit shkatërroi tregtinë globale. Inflacioni është në rritje dhe rritja e kostove të energjisë ka rritur mundësinë e një dimri të acartë dhe të errët. Evropa ndodhet në prag të recesionit
(AP) - Martin Kopf ka nevojë për gaz natyror për të drejtuar kompaninë e familjes, “Zinkpower GmbH”, e cila prodhon komponentë çeliku rezistues ndaj ndryshkut në Gjermaninë perëndimore.
Objekti i “Zinkpowerit” jashtë Bonit përdor gaz për të mbajtur 600 tonë zink me vlerë 2.5 milionë euro në gjendje të shkrirë çdo ditë. Përndryshe, metali do të ngurtësohet, duke shkatërruar rezervuarin ku zhyten pjesët e çelikut përpara se të përfundojnë në pjesë makinash, ndërtesa, panele diellore dhe turbina me erë.
Hakmarrja ruse
Gjashtë muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, pasojat po përbëjnë kërcënim shkatërrues për ekonominë globale, duke përfshirë kompani si “Zinkpower”, e cila ka të punësuar 2.800 punëtorë. Gazi jo vetëm që është shumë më i kushtueshëm, por mund të mos jetë fare i disponueshëm nëse Rusia ndërpret plotësisht furnizimet në Evropë për t'u hakmarrë për sanksionet perëndimore, ose nëse ndërmarrjet nuk mund të ruajnë mjaftueshëm për dimër.
Gjermanisë mund t'i duhet të vendosë racionimin e gazit që mund të gjymtojë industritë nga prodhimi i çelikut, farmaceutikët dhe lavanderitë komerciale. "Nëse ata thonë, ne nuk do t’iu furnizojmë, të gjitha pajisjet e mia do të shkatërrohen", tha Kopf, i cili gjithashtu kryeson shoqatën gjermane të firmave të zinkut.
Qeveritë, bizneset dhe familjet në mbarë botën po ndjejnë efektet ekonomike të luftës vetëm dy vjet pasi pandemia e koronavirusit shkatërroi tregtinë globale. Inflacioni është në rritje dhe rritja e kostove të energjisë ka rritur mundësinë e një dimri të acartë dhe të errët. Evropa ndodhet në prag të recesionit.
Çmimet e larta të ushqimeve dhe mungesat, të përkeqësuara nga ndërprerja e dërgesave të plehrave dhe drithërave nga Ukraina dhe Rusia që po rifillojnë ngadalë, mund të shkaktojnë uri dhe trazira të përhapura në botën në zhvillim.
Jashtë kryeqytetit të Ugandës, Kampala, Rachel Gamisha tha se lufta e Rusisë në Ukrainën e largët ka dëmtuar biznesin e saj ushqimor. Ajo e ka ndjerë atë në rritjen e çmimeve për gjërat e nevojshme si benzeni, duke u shitur për 6.90 dollarë për gallon. Diçka që është 2.000 shilinga (rreth 16.70 dollarë) këtë javë, mund të kushtojë 3.000 shilinga (25 dollarë) javën e ardhshme.
“Duhet të kufizoni veten", tha ajo. “Duhet të blini disa gjëra që u ndryshojnë çmimet shpejt”.
Fenomeni i “tkurrjes”
Gamisha ka vënë re edhe diçka tjetër, një fenomen i quajtur "tkurrje": Një çmim mund të mos ndryshojë, por një petull që dikur peshonte 45 gram tani mund të jetë vetëm 35 gram. Buka që peshonte 1 kilogram tani është 850 gram.
Lufta e Rusisë bëri që Fondi Monetar Ndërkombëtar muajin e kaluar të ulte perspektivën e tij për ekonominë globale për herë të katërt në më pak se një vit. Agjencia e huadhënies pret rritje prej 3.2% këtë vit, më poshtë se 4.9% që parashikoi në korrik të vitit 2021 dhe shumë më poshtë se një 6.1% e fuqishme vitin e kaluar.
“Bota së shpejti mund të jetë në prag të një recesioni global, vetëm dy vjet pas atij të fundit”, tha Pierre-Olivier Gourinchas, kryeekonomisti i FMN-së.
Programi i OKB-së për Zhvillim tha se rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë hodhi 71 milionë njerëz në mbarë botën në varfëri në tre muajt e parë të luftës. Vendet në Ballkan dhe Afrikën Sub-Sahariane u goditën më rëndë. Deri në 181 milionë njerëz në 41 vende mund të vuajnë një krizë urie këtë vit, ka parashikuar Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë.
“Askund nuk po i shihet fundi”
Në Bangkok, kostot në rritje për mishin e derrit, perimet dhe vajin e kanë detyruar Warunee Deejai, shitëse e ushqimeve në rrugë, të rrisë çmimet, të shkurtojë stafin dhe të punojë më shumë orë.
“Nuk e di se edhe për sa kohë mund ta mbaj çmimin e drekës të përballueshëm”, tha ajo. “Të dalësh nga bllokimet e COVID-it dhe të përballesh me këtë është e vështirë. Më e keqja është se nuk e shoh fundin e saj”.
Edhe përpara se presidenti rus, Vladimir Putin, të urdhëronte pushtimin e Ukrainës, ekonomia globale ishte nën presion. Inflacioni ishte rritur në qiell pasi një rikuperim më i fortë se sa pritej nga recesioni pandemik pushtoi fabrikat, portet dhe depot e mallrave, duke shkaktuar vonesa, mungesa dhe çmime më të larta. Si përgjigje, bankat qendrore filluan të rrisin normat e interesit në përpjekje për të frenuar rritjen ekonomike dhe për të zbutur çmimet e larta.
“Të gjithëve po na ndodhin këto gjëra të ndryshme”, tha Robin Brooks, kryeekonomist në Institutin Ndërkombëtar të Financave. “Paqëndrueshmëria e inflacionit u rrit. Paqëndrueshmëria e rritjes u rrit. Dhe për këtë arsye, është bërë pafundësisht më e vështirë për bankat qendrore të drejtojnë anijen”.
Kina, duke ndjekur një politikë zero-COVID, vendosi bllokime që kanë dobësuar rëndë ekonominë e dytë më të madhe në botë. Në atë kohë, shumë vende në zhvillim ende përballeshin me pandeminë dhe borxhet e rënda që kishin marrë, për të mbrojtur popullsinë e tyre nga katastrofa ekonomike.
Mal sfidash
Të gjitha ato sfida mund të ishin të menaxhueshme. Por kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, Perëndimi u përgjigj me sanksione të rënda. Të dy veprimet ndërprenë tregtinë e ushqimit dhe energjisë. Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë dhe një eksportues kryesor i gazit natyror, plehrave dhe grurit. Fermat në Ukrainë ushqejnë miliona në mbarë botën.
Inflacioni që rezulton është përhapur në botë.
Pranë Johanesburgut, Afrikë e Jugut, Stephanie Muller, ka krahasuar çmimet në internet dhe ka kontrolluar dyqane të ndryshme ushqimore për të gjetur ofertat më të mira.
“Unë kam tre fëmijë që janë të gjithë në shkollë, kështu që kam ndjerë ndryshimin”, tha ajo.
Duke blerë në një treg në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, Bui Thu Huong tha se ajo ka kufizuar shpenzimet e saj dhe ka shkurtuar daljet për darkat e fundjavës. Të paktën ka një avantazh për të gatuar në shtëpi me fëmijët e saj: "Ne mund të lidhemi më shumë me ta në kuzhinë, duke kursyer para në të njëjtën kohë".
Syahrul Yasin Limpo, ministri i Bujqësisë i Indonezisë, paralajmëroi këtë muaj se çmimi i “noodles” të çastit, element kryesor në vendin e Azisë Juglindore, mund të trefishohet për shkak të çmimeve të fryra të grurit. Në Malajzinë fqinje, fermeri i perimeve, Jimmy Tan, ankohet se çmimet e plehrave janë rritur me 50%. Ai, gjithashtu, po paguan më shumë për furnizime si fletë plastike dhe çanta.
Thellohet mjerimi
Në Karaçi të Pakistanit, larg fushëbetejave të Ukrainës, Kamran Arif ka aranazhuar një vend të dytë pune me kohë të pjesshme për të plotësuar pagën e tij. “Për shkak se nuk kemi kontroll mbi çmimet, ne mund të përpiqemi vetëm të rrisim të ardhurat tona”, tha ai.
Një shumicë dërrmuese e njerëzve jetojnë në varfëri në Pakistan, monedha e të cilit ka humbur deri në 30% të vlerës së saj kundrejt dollarit dhe qeveria ka rritur çmimet e energjisë elektrike me 50%.
Muhammad Shakil, një importues dhe eksportues, thotë se nuk mund të marrë më grurë, qiqra të bardha dhe bizele të verdha nga Ukraina.
“Tani që duhet të importojmë nga vendet e tjera, duhet të blejmë me çmime më të larta”, ndonjëherë 10%-15% më shumë, tha Shakil.
Ndërsa lufta nxit inflacionin, bankat qendrore po rrisin normat e interesit në përpjekje për të ngadalësuar rritjen e çmimeve pa penguar rritjen ekonomike.
Rritja që rezulton në normat e kredisë po ndëshkon, ”FlooringStores”, kompani në Nju-Jork që ndihmon klientët të gjejnë materiale dyshemeje dhe kontraktues. Shitjet janë ulur sepse më pak pronarë të shtëpive po marrin hua për të paguar për rinovimet e shtëpisë.
“Një përqindje e madhe e klientëve tanë financojnë projektet e tyre me kredi për kapital shtëpiak dhe produkte të ngjashme, që do të thotë se rritja e normave të interesit mbyti vërtet biznesin tonë”, tha themeluesi Todd Saunders. “Inflacioni nuk po ndihmonte, por normat e interesit patën një efekt më të madh”.
Evropa nën presionin e varësisë ruse
Evropa, e cila për vite me radhë varej nga nafta dhe gazi natyror rus për ekonominë e saj industriale, ka absorbuar një grusht në bark. Ajo përballet me kërcënimin në rritje të recesionit teksa Kremlini frenon rrjedhat e gazit natyror që përdoret për ngrohjen e shtëpive, gjenerimin e energjisë elektrike dhe ndezjen e fabrikave. Çmimet janë 15 herë më të larta se sa ishin përpara se Rusia të grumbullonte trupa në kufirin me Ukrainën në mars të vitit 2021.
“Ka shumë më tepër rrezik dhe presion recesioni në Evropë sesa në pjesën tjetër të ekonomive me të ardhura të larta”, tha Adam Posen, president i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare dhe një ish-bërës i politikave të Bankës së Anglisë.
Dëmi mezi e ka kursyer Rusinë, ekonomia e së cilës, FMN-ja pret të tkurret me 6% këtë vit. Sergey Aleksashenko, ekonomist rus që tani jeton në Shtetet e Bashkuara, vuri në dukje se shitjet me pakicë të vendit ranë me 10% në tremujorin e dytë krahasuar me një vit më parë pasi konsumatorët u pakësuan.
“Ata nuk kanë para për të shpenzuar”, tha ai.
Përktheu: Forca Jashari
Një shitëse pret klientët në tezgën e saj ku shet oriz dhe drithëra të tjera në një treg në Xhakartë, Indonezi