Botë

Shefi i OKB-së të enjten takohet me Zelenskyn dhe Erdoganin

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe atë turk, Recep Tayyip Erdogan të enjten në Ukrainë, shkroi të martën Reuters.

Sipas një zëdhënësi të OKB-së, gjatë qëndrimit të tij në Ukrainë, Guterres do ta vizitojë portin e Odesës në Detin e Zi, ku eksportet e grurit kanë rifilluar nën një marrëveshje të ndërmjetësuar në OKB-ja.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se Guterres do të takohet me Zelenskyn në Lviv dhe do të diskutojë situatën në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, së bashku me gjetjen e një zgjidhjeje politike për luftën e Rusisë.

Të shtunën, Guterres do të vizitojë Qendrën e Përbashkët të Koordinimit në Stamboll, e cila përbëhet nga zyrtarë rusë, ukrainas, turq dhe të OKB-së që mbikëqyrin eksportet e drithit dhe plehrave të Ukrainës në Detin e Zi.

Tre porte të Detit të Zi u zhbllokuan muajin e kaluar sipas një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, duke bërë të mundur dërgimin e qindra mijëra tonëve drithë ukrainas për blerësit. Kombet e Bashkuara thanë se marrëveshja synon të lehtësojë një krizë globale të ushqimit.