Botë

Gjermania del me planin për kursimin e energjisë, kufizim i ngrohjes e fikje dritash

gjermania, energjia, drita

Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, njoftoi për planet e vendit për kursimin e energjisë duke kufizuar ngrohjen në ndërtesat publike në dimër dhe fikjen e disa dritave gjatë natës, raportoi gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung.

“Pronat publike, me përjashtim të spitaleve dhe pjesëve të tjera të sistemit social, do të ngrohen vetëm në 19 gradë Celsius”, tha Habeck.

Komentet e tij vijnë pasi Rusia ka lëvizur drejt zvogëlimit dhe shkurtimit të mundshëm të furnizimeve për Gjermaninë, në atë që mund të shihet si hakmarrje ndaj Berlinit që anuloi gazsjellësin Nord Stream 2 pas pushtimit rus të Ukrainës.

Ndërtesat, monumentet dhe reklamat gjithashtu nuk do të ndriçohen më gjatë natës si pjesë e masave më të fundit të kursimit të energjisë, tha Habeck.

Masat do të jenë në fuqi për gjashtë muaj fillimisht.

Gjermania mbështetet shumë në gazin rus për ngrohje dhe për industrinë.

Berlini ka urdhëruar që objektet e depozitimit të gazit të vendit të mbushen thuajse plot deri në dhjetor.

Qeveria ka nisur gjithashtu një fushatë njoftimesh për shërbimin publik që synon të bindë publikun të bëjë pjesën e tij për të kursyer energjinë.

Për më tepër, qeveria gjermane promovoi një skemë mujore të subvencionuar të biletave të pakufizuara prej 9 eurosh që është e vlefshme në shumicën e linjave të trenave për të nxitur transportin publik dhe për të larguar njerëzit nga konsumi i karburanteve fosile këtë verë.

Në korrik, Berlini ndaloi ngrohjen e pishinave private me gaz, megjithëse është e paqartë se sa energji do të kursente kjo.

Habeck tha gjithashtu se i pëlqen dushi më i shkurtër që kursen ujin e nxehtë.