Botë

Masakër në Cetinë - 11 të vrarë e gjashtë të plagosur

Descriptive Text

Siç shkruan mediumi publik malazias, sulmuesi është identifikuar si 34-vjeçar, Vuk Boriloviq. RTCG-ja ka cituar burime policore që kanë bërë të ditur se sulmi erdhi pas një mosmarrëveshjeje familjare, por nuk dha detaje të mëtejshme. Policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për sulmin, mirëpo e ka bllokuar vendin

Një burrë 34-vjeçar në Malin e Zi ka vrarë 11 persona në rrugët e Cetinës përpara se të qëllohej për vdekje, ka njoftuar televizioni shtetëror i Malit të Zi, duke i cituar burimet policore.

Televizioni shtetëror malazias, RTCG-ja, ka bërë të ditur se 34-vjeçari i armatosur ka plagosur gjashtë persona të tjerë, duke përfshirë një polic, në lagjen “Medovina” të qytetit të Cetinës, që është afër selisë së ish-Qeverisë mbretërore. Qyteti është 36 kilometra në perëndim të Podgoricës, kryeqyteti aktual i shtetit të vogël ballkanik.

RTCG-ja, duke cituar çfarë kanë parë dëshmitarët, ka raportuar se sulmuesi po qëllonte rastësisht mbi njerëzit që ecnin në rrugë, përfshirë fëmijët. Katër nga të plagosurit janë transferuar në spitalin e Cetinës, ndërsa dy të tjerë me plagë të rënda janë dërguar në Qendrën Klinike në Podgoricë, thuhet në njoftim.

Siç shkruan mediumi publik malazias, sulmuesi është identifikuar si 34-vjeçar, Vuk Boriloviq.

RTCG-ja ka cituar burime policore që kanë bërë të ditur se sulmi erdhi pas një mosmarrëveshjeje familjare, por nuk dha detaje të mëtejshme. Policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për sulmin, mirëpo e ka bllokuar vendin.

Televizioni “Vijesti”, ndërkaq duke iu referuar dëshmitarëve okularë, raporton se sulmuesi fillimisht ka vrarë fqinjën dhe fëmijët e saj, pas së cilës ka telefonuar bashkëshortin e së vrarës dhe i ka treguar se çfarë kishte bërë. Më pas, sipas të njëjtave burime, ka vazhduar sulmin duke qëlluar në drejtim të fqinjëve dhe kalimtarëve.

Kryeministri malazias, Dritan Abazovic, ka shkruar në kanalin e tij Telegram se ka ndodhur “një tragjedi e paprecedentë” në Cetinë, duke i bërë thirrje kombit “të jetë me zemër me familjet e viktimave të pafajshme, të të afërmve të tyre, të miqve dhe të të gjithë njerëzve të Cetinës”.

Sipas “Vijestit”, mes të vrarëve ka edhe të mitur.

Fëmijët që qëndrojnë në Cetinë në Kampin e Rinisë janë të sigurt dhe në asnjë moment nuk kanë qenë në rrezik gjatë incidentit që ka ndodhur jo shumë larg shtëpisë së Qeverisë.

Kryeministri Abazoviq dhe ministri i Shëndetësisë, Dragoslav Shqekiq, kanë dalë në terren, ku kanë biseduar me drejtoreshën Liljana Raduloviq.

Raduloviq ka thënë për media se në atë institucion janë pranuar katër persona të lënduar, tre prej të cilëve janë në rrezik.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara, vrasësi rreth orës 15:00, i armatosur me një pushkë gjuetie me pesë fishekë, ka kaluar nëpër lagje dhe ka filluar të qëllojë.

Portalit “Vijesti” jozyrtarisht iu tha se kryeministri Abazoviq do t’i vizitojë të plagosurit dhe Cetinën me ministrat dhe kryetarin e Komunës së Prijestonikës, Nikolla Gjurashkoviq.

Në vendngjarje ka dalë prokurori i lartë i shtetit, shërbimet e emergjencës, policia dhe Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit. As administrata policore dhe askush përgjegjës ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar për tragjedinë në Cetinë.

Jovan Dashiq nga Rrjeti Rinor tha për “Vijestin” se bashkë me kryeqytetin e Cetinës po organizonin festën e Ditës së Rinisë në qytet./AP