Botë

Mbështetësit e Trumpit protestojnë përpara kompleksit të tij që u bastis nga FBI-ja

Një grup mbështetësish besnikë të ish-presidentit amerikan Donald Trump u mblodhën për protesta në West Palm Beach, përpara pronës së tij, duke valëvitur flamuj për t’i dalë në përkrahje Trumpit, raporton BBC.

Ata shfrytëzuan rastin për t'u thënë gazetarëve që ishin aty se po raportonin “fake news”. Mbështetje për ish-presidentin treguan edhe veturat që i binin borive teksa kalonin.

Shumë republikanë mbështesin pretendimin e Trumpit se bastisja e FBI-së është pjesë e një strategjie demokratike për ta penguar atë të kandidojë sërish në vitin 2024. Mes tyre është edhe strategu republikan Seth Weathers, i cili e quajti bastisjen në shtëpinë e Trumpit në Florida “të egër”.

Weathers thotë se është krijuar një precedent që ai mendon se do të jetë "shumë i vështirë për t'u përmbysur".

Ai pretendon se autorizimi ligjor i urdhrit të kërkimit ishte i motivuar politikisht dhe thotë se "tejkalimi i kompetencave" i administratës së Joe Bidenit ka arritur në një nivel që shumë njerëz nuk mendonin se do të ndodhte.

Bideni është përpjekur të distancohet nga Departamenti i Drejtësisë dhe një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk kishte marrë njoftim paraprak për kërkimin nga FBI.

Agjentët e FBI-së bastisën pronën e Trumpit në Mar-a-Lago të martën dhe hapën kasafortën e tij si pjesë e një hetimi për të dhënat presidenciale.