Burri që po gjykohet për vrasjen e dy vajzave të tij në Teksas, mund edhe t’i ketë abuzuar
Një burrë nga Teksasi, me origjinë nga Egjipti, që po gjykohet për vrasjen e dy vajzave të tij, të raportuara si “vrasje për nder”, është quajtur “djall” në gjykatë nga nëna e vajzave e cila tregoi për abuzimin gjatë martesës së tyre.
Patricia Owens, ish-bashkëshortja e Yaser Saidit, nuk e ka parë atë që prej 2008-s – kur ai mori vajzat, Amina 18 vjeç dhe Sarah 17, për një shëtitje me veturë dhe insistoi që të shkonin vetëm që të mund të flisnin.
Por, siç thanë prokurorët, Said qëlloi vajzat disa herë dhe i la për të vdekura në një veturë jashtë një hoteli, raportoi NYP.
Shumë kohë para vitit 2008, Owens dëshmoi se ajo dhe vajzat ishin abuzuar nga ai, se vajzat i kishte sulmuar seksualisht. Tha se ishte martuar me Saidin më 1987 kur kishte 15 vjeç e ai 29. Ajo lindi dy vajzat dhe një djalë në tri vjetët e para të martesës.
Owens pretendoi se e la Saidin disa herë gjatë martesës dhe e përshkroi atë si kontrollues.
Më 1998, Owens e paraqiti në polici duke e akuzuar Saidin për abuzim seksual të dy vajzave. Ajo mori të tre fëmijët dhe u largua nga ai për disa muaj. Amina ishte tetë vjeç atë kohë dhe Sarah shtatë.
“U ndjeva e frikësuar të mos kthehesha. Yaseri ishte abuziv”, tha ajo e arsyetuar pasi qe kthyer pas raportimit për abuzim.
Më 2007, Owens dhe vajzat ikën sërish pasi vajzat frikësoheshin se babai do t’i vriste nëse mësonte se të dyja ishin në lidhje dashurie. Owens tha se Said e kishte kërcënuar me armë edhe më parë Aminan.
Nëna me vajzat u kthyen në Teksas për të përfunduar shkollën me premtimin se Saidi do të largohej nga shtëpia. Edhe atëherë, Amina refuzoi të kthehej në shtëpi, në frikë për pasojat.
Kur u pyet nga prokurorët nëse e dinte çfarë do të ndodhte nëse ktheheshin, Owens u përgjigj: “Një pjesë e imja e dinte, një pjesë nuk e dinte”.
Prokurorët e lëshuan një incizim nga ndihma e shpejtë kur Sarah e kishte thirrur pasi u plagos, por që gjatë telefonatës vdiq.
“Babai më qëlloi. Po vdes”, dëgjohet të thotë Sarah.
“Vrasja për nder” ndodhi pasi ai zbuloi për lidhjet e dashurisë që ato kishin filluar dhe se ai nuk ishte më i aftë “t’i kontrollonte ato”. Të dashurit e vajzave nuk ishin myslimanë, thanë prokurorët kur theksuan zemërimin e Saidit ndaj gruas dhe vajzave.
Said i cili u arrestua në gusht 2020 pas më shumë se një dekade në arratisje, është deklaruar i pafajshëm dhe avokati i tij ka thënë se ai po bëhet cak i forcave të rendit dhe ligjit për shkak se është mysliman.
Nëse shpallet fajtor, menjëherë do të dënohet me burgim të përjetshëm.