Botë

Shkon në 37 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Kentucky

Ka arritur në 37 numri i personave të vdekur nga përmbytjet në lindje të Kentuckyt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa rajoni po përgatitet për më shumë reshje, shkroi BBC-ja të hënën.

Në mesin e viktimave raportohet të jenë edhe gjashtë fëmijë.

Guvernatori i Kentuckyt, Andy Beshear, ka thënë se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet pasi qindra njerëz ende nuk janë gjetur.

“Më shumë se 12,000 familje kanë mbetur pa energji elektrike dhe qindra shtëpi dhe biznese janë përmbytur. Dëmtimi i rrugëve, urave dhe infrastrukturës tjetër do të kushtojë miliona për t'u riparuar”, tha guvernatori të hënën.

Kjo është ndër përmbytjet më të këqija që ka parë rajoni në dekada. Beshear e quajti atë më vdekjeprurësin dhe më shkatërruesin gjatë jetës së tij.

Vendasit e zhvendosur janë strehuar në parqe shtetërore, kisha dhe shtëpi të lëvizshme të sjella nga shteti. Sipas zyrtarëve shtetërorë, rreth 300 njerëz janë në strehimore.

Presidenti Joe Biden i ka shpallur përmbytjet fatkeqësi të madhe dhe ka urdhëruar ndihmën federale për të ndihmuar shpëtimtarët lokalë.