Ish-shefi i Thesarit, Rishi Sunak, ka fituar rundin e parë të votave nga deputetët në garën për liderin e ri të Partisë Konservatore dhe kryeministrin e Britanisë së Madhe.
Sunak ka siguruar 88 vota, ndërkaq sukses të madh kishte ministrja e Tregtisë, Penny Mordaunt, që doli në pozitën e dytë me 67 vota. Ministrja e Jashtme, Liz Truss, është pas tyre me 50 vota. Mediat britanike dhe burime të ndryshme brenda Partisë Konservatore, e kanë cilësuar sukses të madh pozicionimin e Mordaunt, e cila, sipas tyre, në një duel me Sunakun mund të fitojë më shumë përkrahje nga konservatorët. Ndërkaq Nadhim Zahawi dhe ish-sekretari i Shëndetësisë, Jeremy Hunt, janë eliminuar nga gara. Ata që janë ende në garë, do të kenë një rund tjetër sot (të enjten). Gara për të parin e partisë pritet të shkurtohet në dy kandidat deri në fund të javës së ardhshme. Pastaj gati 160 mijë anëtarë të Partisë Konservatore do të vendosin se cili kandidat do të bëhet lider i ri i partisë dhe kryeministër. Të gjithë kandidatët që kanë dështuar të sigurojnë 30 vota në rundin e parë janë eliminuar.
Gara për liderin e partisë kanë nisur pasi kryeministri Boris Johnson konfirmoi dorëheqjen e tij gjatë javës së kaluar, pas disa muajsh kritika në lidhje me ahengjet gjatë izolimit nga pandemia. Rezultati pritet të bëhet i ditur më 5 shtator, në ditën kur fituesi do të zyrtarizohet si pasardhës i Johnsonit.
Johnsoni është pajtuar të dorëhiqet të enjten e javës së kaluar, pasi nuk mund të duronte më korin kundërshtues nga partia. Konservatorët menjëherë kanë nisur procesin për zgjedhjen e liderit të ri.
Vendimin për largim e mori pas disa muajsh skandalesh, gjatë të cilave Johnsoni u gjobit nga Policia, ndërkaq zyrtarët e tij organizuan ndeja në kohën kur Britania ishte në izolim total shkaku i pandemisë.
Johnsoni e luti partinë dhe shtetin që të vazhdonin dhe të përqendroheshin në krizën ekonomike dhe luftën në Ukrainë. Mirëpo akuzat për ngacmime seksuale ndaj zyrtarit të lartë të partisë kanë përcaktuar fatin e politikanit, aftësia e të cilit për t’u mbijetuar skandaleve ishte legjendare.
Karriera e Johnsonit gjithmonë ka qenë mes ekstremeve. Nxori Britaninë nga Bashkimi Evropian dhe i priu shtetit gjatë krizës botërore që rrezikoi edhe jetën e tij, por doli përballë kritikave kur nuk respektoi masat e izolimit që i vendosi kundër pandemisë.
Ata që i qëndruan pranë e kanë cilësuar Johnsonin si burrë që merr në dorë estabilishmentin dhe fiton. Mirëpo ish-anëtari i Parlamentit, Rory Stewart, i cili humbi garën kundër Johnsonit për Partinë Konservatore gjatë vitit 2019, ka thënë se “Johnsoni ndoshta është gënjeshtari më i mirë që kemi pasur ndonjëherë si kryeministër”.
Erdhi në krye të Partisë Konservatore dhe u bë kryeministër në korrikun e vitit 2019. Kishte ushtruar detyra të rëndësishme, si kryetar i Londrës dhe sekretar i Jashtëm i Britanisë.
Shumë herë, Alexander Boris de Pfeffel Johnson, emri i tij i plotë, cilësohej si politikan i kategorisë së lehtë, që i mungonte serioziteti si lider. Shpesh dukej i tillë, duke forcuar imazhin e një lideri populist latin me flokë të shprishura, i cili nuk e merr veten seriozisht. Ai dikur kishte thënë se kishte shanse të bëhej kryeministër, aq sa ishin shanset që ta gjejë Elvisin në planetin Mars.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.