Botë

Bideni shkon në Lindjen e Mesme mes shqetësimeve për programin bërthamor të Iranit

Bideni shkon në Lindjen e Mesme mes shqetësimeve për programin bërthamor të Iranit

Presidenti amerikan, Joe Biden, nisi vizitën e tij të parë në Lindjen e Mesme si president të mërkurën, duke deklaruar një lidhje të thellë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit dhe duke u zotuar për të forcuar lidhjet ekonomike midis dy vendeve, raportoi AP-ja.

Ai nuk përmendi një nga qëllimet më të mëdha të vizitës së tij: sigurimin e zyrtarëve të shqetësuar izraelitë dhe të Arabisë Saudite se ai është i përkushtuar për të parandaluar që Irani të bëhet një fuqi bërthamore.

“Ne kemi një agjendë të plotë gjatë ditëve të ardhshme, sepse marrëdhënia midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara mbulon çdo çështje që ka rëndësi për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Bideni.

Zyrtarët izraelitë thanë se programi bërthamor në zhvillim i Iranit është në krye të agjendës së tyre në bisedimet me presidentin e SHBA-së. Bideni e ktheu marrëveshjen bërthamore të Iranit, të ndërmjetësuar nga Barack Obama më 2015 e të braktisur nga Donald Trumpi më 2018, në prioritet kyç kur ai mori detyrën.

Por, bisedimet indirekte që SHBA-ja të rikthehet në marrëveshje kanë ngecur, pasi Irani ka bërë zhvillime të shpejta në programin e tij bërthamor.

Kryeministri izraelit, Yair Lapid dhe presidenti Isaac Herzog e bënë të qartë se programi bërthamor i Iranit do të jetë në fokus të palës së Izraelit gjatë bisedimeve me Bidenin.

“Ne do të diskutojmë nevojën për të rinovuar një koalicion të fuqishëm global që do ta ndalojë programin bërthamor iranian”, tha Lapid.