Botë

Aleatët e NATO-s nënshkruajnë protokollin e pranimit për Finlandën dhe Suedinë

Tridhjetë aleatët e NATO-s nënshkruan të martën një protokoll pranimi për Finlandën dhe Suedinë për t’i lejuar këto dy vende nordike të bashkohen me aleancën e armatosur bërthamore sapo parlamentet aleate të ratifikojnë vendimin.

Lëvizja, e cila është zgjerimi më domethënës i aleancës që nga mesi i viteve 1990, do të thotë që Helsinki dhe Stokholmi mund të marrin pjesë në takimet e NATO-s dhe të kenë qasje më të madhe në inteligjencë.

Megjithatë, këto vende nuk do të mbrohen, siç parasheh statuti i NATO-s, se sulmi ndaj një shteti është sulm ndaj të gjithë anëtarëve, shkruan Sky News.

“Ky është me të vërtetë një moment historik”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas një takimi me ministrat e Jashtëm të të dy vendeve. “Me 32 kombe rreth tryezës, ne do të jemi edhe më të fortë”.

Në një deklaratë, ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde, tha: "Faleminderit për mbështetjen tuaj! Tani fillon procesi i ratifikimit nga secili prej aleatëve. Mezi pres të punojmë së bashku për të garantuar sigurinë tonë kolektive”.