Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara ka shtuar gatimin e “borschit” – supë që bëhet zakonisht me panxhar dhe patate – në Ukrainë, në listën e saj të trashëgimisë kulturore jomateriale të rrezikuar.
UNESCO ka thënë se lufta në Ukrainë “ka kërcënuar” gatimin e supës.
“Fitorja në luftë për borschin është e jona”, ka thënë ministri i Kulturës në Ukrainë, Oleksandr Tkachenko, shkruan BBC. “Do t’i fitojmë të dyja, borschin dhe luftën. Me dëshirë do të ndajmë borschin dhe recetën e saj me shtetet e civilizuara. Dhe me të pacivilizuarat po ashtu, ashtu që të kenë diçka të mirë, të shijshme e ukrainase”, ka shtuar ai.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka përqeshur veprimin duke thënë se versioni rus i gatimit s’ka nevojë për mbrojtje. “Humusi dhe pilafi tashmë janë shpallur gatime kombëtare të disa kombeve. Por sa e kuptoj unë, gjithçka është për ‘ukrainizim’. Çfarë është në radhë? A do të shpallet edhe mishi i derrit ushqim kombëtar ukrainas”, ka shkruar ajo në Telegram.
Borsch është një supë, zakonisht me ngjyrë të kuqe nga panxhari - megjithëse ekzistojnë edhe varietete jeshile dhe të bardha.
Përderisa Ukraina e konsideron ‘borschin’ gatimin e saj kombëtar, në masë të madhe konsumohet edhe në Rusi, ish-shtetet tjera sovjetike e Poloni. Si rezultat, origjina e saj është e kontestueshme.
Ka shumë deklarata rivalizuese se nga ku është origjina e gatimit, se si duhet të shqiptohet emri, nëse duhet të përmbajë mish apo jo, apo edhe nëse duhet të ketë ndonjë kremë mbi supë apo jo.
Në vitet e fundit, statusi i gatimit në mes Ukrainës e Rusisë ka nxitur debate të ashpra në rrjetet sociale, aq sa mori edhe emrin e “lufta e Borschit”.
Në vitin 2020, Ukraina aplikoi që gatimi t’i shtohej listës kulturore të trashëgimisë në rrezik dhe vendimi qe shtyrë për 2023. Megjithatë procesi u ngut për shkak të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe “ndikimit negativ” në traditën e gatesës, ka bërë të ditur UNESCO në një komunikatë për media.