Dëshira njerëzore për të dalë dhe për ta hulumtuar botën ka ngritur numrat në fluturime dhe muze, ani pse janë ngritur rastet me koronavirus dhe inflacioni. Mirëpo urgjenca ekonomike është nxitësi më i madh në industrinë që kishte vlerën e 3.5 trilionë dollarëve në vitin 2019, të cilat, sipas Kombeve të Bashkuara, u humbën gjatë pandemisë.
Në konferencën për turizëm në Phuket gjatë muajit maj, kryeministri i Tajlandës shikoi pjesëmarrësit dhe ua bëri pyetjen me përgjigjen që tashmë dihej.
“A jeni gati?”, pyeti Prayuth Chan-ocha, teksa hoqi maskën me shpresën për rimëkëmbjen ekonomike të shtetit pas më shumë se dy vjetësh izolim shkaku i pandemisë së Covid-19. Kur të pranishmit njëzëri thanë “po” – ata janë përgjigjur edhe për pjesën tjetër të botës, të rrëzuar keq nga pandemia.
Mirëpo rimëkëmbja mund të zgjasë sa vetë katastrofa, vlerësohet në sondazhin e realizuar nga Associated Press në 11 shtete të botës. Ky sondazh vlerëson se rimëkëmbja do të bëhet, por do të jetë sikur lëvizja në rrugën me gropa apo dalja nga një shpellë e errët.
Disa vende si riviera franceze apo mesperëndimi amerikan janë duke ndihmuar në ringjalljen e shpejtë të turizmit. Dëshira njerëzore për të dalë dhe për të hulumtuar botën ka ngritur numrat në fluturime dhe muze, ani pse janë ngritur rastet me koronavirus dhe inflacioni. Mirëpo urgjenca ekonomike është nxitësi më i madh në industrinë që kishte vlerën e 3.5 trilionë dollarëve në vitin 2019, të cilat, sipas Kombeve të Bashkuara, u humbën gjatë pandemisë. Sipas disa vlerësimeve, turizmi ofron punë për një në dhjetë njerëz në botë.
Shumë vende, veçanërisht ato që kanë liruar masat e sigurisë, kanë parë se vera ka nisur plot optimizëm dhe aventura me diell.
“Ata thonë se është vera e udhëtimeve të shumëpritura”, thotë Theresa Starta, banore e Pittsburghut në SHBA. Ajo po lundronte në një nga kanalet e Amsterdamit, të mbushur me turistë. “Gjithçka dukej aq keq nëpër botë, prandaj është mirë të shohësh se po rikthehen gjërat”.
“Rruga drejt këndelljes së plotë është shumë e gjatë, por të paktën ne jemi rikthyer në të”, ka thënë Sanga Ruangwattanakul, president i Shoqatës së Biznesit, Khao San Road, në Bangkok.
Pavarësisht kthimit të zhurmshëm të udhëtarëve, sfidat dhe pasiguria hedhin hije mbi peizazhin pas pandemisë. Rimëkëmbjet e plota përgjithësisht nuk priten të paktën deri në vitin 2024. Shqetësimet rrinin rreth një liste të gjatë çështjesh, duke përfshirë inflacionin, problemet e zinxhirit të furnizimit, rritjen e shkallës së infeksionit dhe mungesën e fuqisë punëtore.
Përpara se të mbaronte qershori, kaosi veçse kishte nisur për të shënuar verën e vitit 2022. Aeroportet dhe linjat ajrore që kishin shkurtuar lëvizjet gjatë thellësisë së pandemisë u përpoqën të plotësonin kërkesën, duke rezultuar në fluturime të anuluara, valixhe të humbura dhe makthe të tjera të ndryshme. Turistët e trembur rezervuan udhëtime me një njoftim më të shkurtër, duke e bërë më të vështirë planifikimin për hotelet, operatorët turistikë dhe të tjerët, thanë të brendshëm të industrisë.