Botë

Zelensky: Sulmi në Kremenchuk, më i tmerrshmi në historinë e Evropës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se bombardimi i qendrës tregtare në Kremenchuk është një nga aktet më të tmerrshme terroriste në historinë e Evropës.

“Një qytet i qetë, një qendër tregtare e zakonshme, gra, fëmijë dhe civilë brenda. Rreth 1000 persona ishin brenda kur qendra u bombardua”, tha Zelensky në një videoadresim të publikuar në rrjetet sociale.

Ai ka thënë se sulmi ishte i planifikuar.

“Ky nuk ishte gabim. Kjo ishte e planifikuar nga Rusia. Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar, por duhet të jemi të vetëdijshëm se numri i viktimave mund të jetë i madh”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ekipi mjekësor ka shkuar nga Kievi për të ndihmuar të lënduarit, derisa ka dërguar ngushëllime për familjet e viktimave.

Ai i ka ftuar qytetarët që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

“I kërkoj secilit që kurdo që i dëgjojnë sirenat, le të shkojnë në strehë. Mos i injoroni. Rusia nuk do të ndalet para asgjëje”, ka thënë ai.