Botë

Frika nga ndalimi i abortit

Në moshën 88-vjeçare, Gloria Steinem ka qenë prej kohësh feministja dhe avokatja më e zëshme në vend për të drejtat e grave. Mirëpo në moshën 22-vjeçare, ajo ishte veç një amerikane e frikësuar në Londër, duke bërë abortin e paligjshëm të një shtatzënie të padëshiruar, saqë në fakt u përpoq të hidhej poshtë shkallëve për t’i dhënë fund. Përgjigja e saj ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e rrëzon Roe kundër Wade përmblidhet me: “Natyrisht, pa të drejtën e grave e burrave për të marrë vendime për organet tona nuk ka demokraci”, ka shkruar ajo në mesazh emaili.

Deklarata e Steinemit qëllon në pikë dëshpërimin që disa kundërshtarë po e ndiejnë për kthimin historik të së premtes në rastin e vitit 1973 që e legalizon abortin. Nëse një e drejtë kaq qendrore në luftën e përgjithshme për barazinë e grave mund të revokohet, ata pyesin, çfarë do të thotë për përparimin që gratë kanë bërë në jetën publike në 50 vjetët e kaluar? “Një nga gjërat që dëgjoj vazhdimisht nga gratë është: “Bija ime do të ketë më pak të drejta se unë. E si mund të ndodhë kjo?”, pyet Debbie Walsh, nga Qendra për Gratë dhe Politikat Amerikane në Universitetin Rutgers. “Nëse edhe kjo shkon, çfarë tjetër mund të shkojë? Kjo ndikon që gjithçka të jetë e pasigurt.”

Lëvizjet e grave

Liria riprodhuese nuk ishte kërkesa e vetme e feminizmit të valës së dytë, siç njihet lëvizja e grave në vitet ‘60 dhe ‘70, por ishte padyshim një nga çështjet më galvanizuese, së bashku me barazinë në vendin e punës. Gratë që luftuan për këto të drejta kujtojnë një dekadë të habitshme përparimi nga viti 1963 e deri në vitin 1973, duke përfshirë të drejtën për pagë të barabartë, të drejtën për ta përdorur kontrollin e lindjes dhe Titullin IX në 1972 që ndalon diskriminimin në arsim. Këtë e mbylli Roe kundër Wade një vit më vonë, duke i dhënë një të drejtë kushtetuese për abort. Shumë nga gratë që u identifikuan si feministe në atë kohë kishin një abort të paligjshëm ose njihnin dikë që e bënte.

“Aborti është shumë i lidhur me lëvizjen e grave në këtë vend”, ka theksuar Carole Joffe, sociologe në Universitetin e Kalifornisë, shkolla mjekësore në San Francisko, e cila studion dhe mëson historinë e abortit. “Së bashku me përmirësimin e kontrollit të lindjeve, ajo që nënkuptonte aborti ligjor ishte se gratë që ishin heteroseksualisht aktive mund të merrnin ende pjesë në jetën publike. Ai e mundësoi ndryshimin e madh që kemi parë në statusin e grave gjatë 50 vjetëve të fundit”. Joffe ka treguar se shumë gra, si ajo, tani mendojnë se e drejta për kontracepsion mund të jetë në rrezik – diçka që ajo e quan “të paimagjinueshme”. Një prej tyre është Heather Booth. Kur ishte 20 vjeçe dhe studente në Çikago, një mik e pyeti nëse mund ta ndihmonte motrën e tij ta kryente një abort. Ishte viti 1965 dhe nëpërmjet kontakteve në lëvizjen për të drejtat civile, ajo gjeti një mënyrë kontakti për vajzën e re në prag të vetëvrasjes, me një mjek të gatshëm për të ndihmuar. Mendoi se kjo do të ndodhte vetëm një herë, ama Booth përfundoi duke themeluar Jane Collective, grup i grave që ofronin aborte të sigurta për ata në nevojë. Në total, grupi kreu rreth 11 mijë aborte për rreth shtatë vjet - histori e rrëfyer në dokumentarin e ri “The Janes”.

Momentet vendimtare

Booth, tani 76 vjeç, i sheh trazirat e Roe kundër Wade si sfidë rrëqethëse ndaj triumfeve të lëvizjes së grave. “Mendoj se jemi në teh të thikës”, u shpreh ajo. “Nga njëra anë, ka pasur 50 vjet ndryshim në gjendjen e grave në këtë shoqëri”, shton ajo, duke kujtuar se kur ishte duke u rritur, gratë mund t’u përgjigjeshin vetëm reklamave të punësimit në “seksionin e grave”, sa për ta renditur një shembull. “Kështu që ka pasur një përparim drejt barazisë më të madhe, por … nëse pyesni se ku qëndrojmë, mendoj se jemi në teh të thikës në një garë të vërtetë midis demokracisë dhe lirisë e tiranisë, një çmontim të lirive për të cilat janë luftuar prej kohësh”.

Sigurisht, jo çdo grua mendon se aborti është e drejtë që ia vlen të ruhet.

Linda Sloan, e cila ka qenë vullnetare pesë vjetët e fundit, së bashku me bashkëshortin e saj, për organizatën kundër abortit A Moment of Hope në Kolumbia, Karolina e Jugut, thotë se i vlerëson të drejtat e grave.

“Besoj fuqimisht dhe mbështes që gratë të trajtohen si të barabarta me burrat… në mundësitë e punës, pagat, respektin dhe shumë fusha të tjera”, ka spikatur ajo. Ajo thotë se është përpjekur t’i rrënjos këto vlera te dy vajzat dhe dy djemtë e saj dhe i mbështet ato me punën e saj në dy strehimore për gra, duke u përpjekur t’i fuqizojë gratë për t’i bërë zgjedhjet e duhura.

Por kur bëhet fjalë për Roe kundër Wade, ajo thotë: “Unë besoj se të drejtat e fëmijës në barkun e nënës janë po aq të rëndësishme. Për të cituar Psalmin 139, besoj se Perëndia “formoi pjesët e mia të brendshme” dhe “më bashkoi në barkun e nënës sime”.

Elizabeth Kilmartin, ashtu si Sloan, vullnetare në “A Moment of Hope”, është thellësisht e kënaqur nga vendimi i gjykatës.

Në vitet e saj të reja, ajo e konsideronte veten feministe dhe studioi historinë e grave në kolegj. Më pas, me kalimin e viteve, ajo filloi të kundërshtojë thellësisht abortin dhe nuk e konsideron më veten feministe sepse beson se fjala është zgjedhur nga të majtët. “Asnjë e drejtë e gruas nuk është dëmtuar në vendimin për ta ndaluar vrasjen e foshnjave në mitër”, ka thënë Kilmartin. “Ne kemi të gjitha llojet e grave në pushtet. Gratë nuk po shtypen më në vendin e punës. Ne kemi një grua nënkryetare... Është thjesht qesharake të mendosh se jemi kaq të shtypura”.

Përktheu: Blerta Haxhiu