Forcat ukrainase do të duhet të tërhiqen nga Severodonetsku, tha të premten kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhanskut, Serhiy Hayday, duke akuzuar Rusinë për shkatërrimin e shumicës së infrastrukturës së qytetit.
“Fatkeqësisht, ne do të duhet të tërheqim ushtrinë tonë nga Severodonetsk. Nuk ka kuptim të qëndrosh në pozicione të thyera pas shumë muajsh, sepse numri i të vdekurve në territoret e pafortifikuara mund të rritet çdo ditë”, tha Hayday në një fjalim televiziv.
Hayday tha se situata në Severodonetsk ishte e paqëndrueshme pas bombardimeve nga forcat ruse gjatë disa muajve.
“E gjithë infrastruktura e qytetit është shkatërruar plotësisht. Më shumë se 90% e shtëpive u sulmuan, rreth 80% e shtëpive u shkatërruan në mënyrë kritike. Këto janë ato që nuk mund të restaurohen më, duhet të prishen”, ka shtuar ai.
Hayday tha se Rusia tani po synonte fqinjin Lysychansk nga Zolote dhe Toshkivka, rreth 30 kilometra në jug.
Lufta në Ukrainë ka hyrë të premten në muajin e katërt. Mijëra civilë, në mesin e të cilëve shumë fëmijë, janë vrarë deri tani nga sulmet ruse.
Ukrainës i është dhënë të enjten statusi i vendit kandidat për Bashkim Evropian.